Gjashtë persona, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë në një sulm me thikë në një kopsht fëmijësh në provincën juglindore Guangdong të Kinës.
Policia tha se ka arrestuar një 25-vjeçar me mbiemrin Wu në qytetin Lianjiang.
Viktimat e tjera janë një mësues dhe dy prindër, raportoi AFP, duke cituar një zyrtar lokal të qytetit. Një person ka mbetur i plagosur gjithashtu.
Sulmi filloi në orën 7:40, pikërisht kur prindërit po i linin fëmijët e tyre në shkollë për klasat verore. I riu është arrestuar në orën 08:00 dhe policia e ka cilësuar këtë rast “sulm me dashje”.
Një pronar dyqani që punon pranë kopshtit i tha BBC-së se zona përreth është mbyllur.
Ndërsa videot e sulmit u përhapën në mediat sociale kineze, ato shkaktuan zemërim dhe tronditje.
Armët e zjarrit janë të ndaluara në Kinë, por vendi ka parë një sërë sulmesh me thikë në vitet e fundit, megjithëse pati edhe një incident ku sulmuesi përdori një sprej kimik për të plagosur një klasë me 50 fëmijë.
BBC ka numëruar të paktën 17 sulme me thikë në shkolla, kolegje dhe universitete që nga viti 2010 – 10 prej tyre kanë ndodhur midis 2018 dhe 2023.
Në gusht të vitit të kaluar, një sulmues me thikë sulmoi një kopsht fëmijësh në provincën juglindore Jiangxi, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë. Në prill 2021, dy fëmijë vdiqën ndërsa 16 të tjerë u plagosën gjatë një goditjeje masive me thikë në qytetin Beiliu, në rajonin autonom Guangxi Zhuang. Në tetor 2018, 14 fëmijë u plagosën në një sulm me thikë në një kopsht fëmijësh në Chongqing, në jug-perëndim të Kinës.
Në shumicën e këtyre rasteve, autorët janë meshkuj dhe kanë shprehur inat ndaj shoqërisë. Modele të ngjashme janë parë në vrasjet masive në vende të tjera, nga SHBA në Japoni. Por ekspertët thonë se mund të ketë disa arsye shtesë për rritjen e dukshme të goditjeve masive me thikë në Kinë.
Ata besojnë se pandemia Covid-19 i detyroi qytetet kineze të durojnë disa nga bllokimet më të gjata dhe më të vështira kudo në botë. Pasojat nuk janë kuptuar ende mirë, por mund të përfshijnë ndjenja zemërimi, pakënaqësie dhe humbje të vendeve të punës, investimeve dhe marrëdhënieve.
Faktorë të tjerë të mundshëm që citohen janë stresi i lartë dhe pritshmëritë e larta të të rinjve në shoqërinë kineze. Këto përkeqësohen nga nivelet e larta të papunësisë së të rinjve dhe një ndarje në rritje të të pasurve dhe të varfërve. Një ekspert i tha BBC-së se një ndjenjë e fortë e “privimit social” mund t’i shtyjë disa të përdorin dhunën për të shfrenuar zhgënjimin e tyre kundër shoqërisë.
Nga frika e sulmeve të kopjuara, Pekini gjithashtu nuk po lejon mediat shtetërore të publikojnë detaje të plota të incidentit të së hënës në kopshtin e fëmijëve.
Top Channel