Erdogani vë kushte: Fusni Turqinë në BE që të lejojmë Suedinë në NATO!

10/07/2023 12:50

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan sqaroi publikisht kushtin që parlamenti i vendit të tij të miratojë aplikimin e Suedisë për bashkim me aleancën ushtarake të NATO-s:

Në fillim, tha kreu i shtetit turk, BE-ja t`i hapë rrugën anëtarësimit të Ankarasë në bllokun europian. Pranimi i Suedisë nënvizoi ai, varet nga zbatimi i një marrëveshjeje të arritur verën e kaluar gjatë samitit të Madridit, duke shtuar se askush nuk duhet të presë që Ankaraja të bëjë kompromise.

“Në fillim, lejoni anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Europian, dhe atëherë, ne do t`i hapim rrugën Suedisë, ashtu siç ja hapëm edhe Finlandës. Këtë ia thashë dhe presidentit Joe Biden, e të njëjtën gjë do të pohoj edhe në Vilnius”, u shpreh Erdogan.

Krerët e NATO-s do të takohen në Vilnius në 11 dhe 12 korrik për të trajtuar një sërë çështjesh, duke nisur nga ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash. Ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

I pari u mbajt virtualisht në 25 shkurt 2022, një ditë pas nisjes së agresionit rus. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid. Qëndrimi Ankarasë ka qenë bllokues për shpresat e Suedisë dhe hyrjes së saj në NATO. Turqia vazhdon të pretendojë se Stokholmi nuk e ka trajtuar sigurinë e saj me seriozitet.

Ndër vite, Suedia e ka akuzuar dhe kritikuar Turqinë për abuzim dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe standardeve demokratike të jetesës, e kjo i ka irrituar politikanët në Ankara, që pretendojnë nga ana tjetër se Suedia është duke strehuar anëtarë të grupeve që autoritetet turke i konsiderojnë terroriste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA