Dorëzoi dosjen në SPAK për Ahmetajn/ Tabaku tregon çfarë zbuloi hetimi për inceneratorët, kritika kolegëve: Bashkuan votat me Ramën për ta mbrojtur

10/07/2023 21:41

Një vit më parë, me kërkesë të opozitës u ngrit një Komision Hetimor për çështjen e inceneratorëve.

Në krye të komisionit u vendos deputetja Jorida Tabaku, ndërsa opozita pretendoi se kishte prova për shkelje ligjore, skema korruptive dhe skema të pastrimit të parave në tre kontrata koncesionare për inceneratorët. Në Komision u thirrën disa funksionarë, mes të cilëve dhe ish-zëvendës/kryeministri Arben Ahmetaj, që sot po përballet me akuzat e SPAK-ut.

E ftuar sot në “Top Story”, Tabaku thotë se në dosjen SPAK është një nga paditë që opozita bëri atëherë.

“Diskutimi për çështjen e inceneratorëve ka nisur në 2017. Pas një interpelance dhe debateve, u ngrit me shumë zhurmë Komisioni Hetimor në shtator 2021. Është një nga paditë që ne kemi në SPAK, ajo që sot ndodhet në dosje, si u firmos dhe si ishte ndikimi i Ahmetajt te inceneratorët.

Nisi jo ligjërisht një procedurë kur nuk ishte nevojë. I dha bonus dy personave që nuk kishin njohuri me këtë proces, Zotos dhe Mërtirit. Është i pari që akuzohet për inceneratorin e Tiranës.

Ka pasur një moment kur kemi pasur një debat me bankat e nivelit të dytë dhe i kemi kërkuar këtë informacion për të ndjekur paranë. I gjithë debati i shkeljeve lidhet me punën e Komisionit Hetimor. Nuk ka qenë punë e lehtë, sepse duhet të përballeshim me baltën e akuzave”.

E ashpër është treguar demokratja me kolegët e saj, deputetët e grupit të “Rithemelimit”, që ashtu si mazhoranca, votuan kundër raportit që prodhoi Komisioni Hetimor.

“Nuk e ka votuar e gjithë opozita raportin e Komisionit Hetimor dhe më vjen keq. Të bëhesh palë me Ramën kur Ahmetaj ka bërë këto gjëra…”.

Këtë të hënë, Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion depozitoi në kryesinë e Kuvendit kërkesën për marrje autorizimi për arrestimin/ heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit të banesës së deputetit Arben Ahmetaj.

Lexo edhe: Episodet korruptive të Ahmetajt, si përfitoi mijëra euro nga Zoto dhe Mërtiri

Top Channel