Biden: Ukraina nuk mund të anëtarësohet në NATO para përfundimit të luftës

10/07/2023 08:54

Ukraina shpreson të ketë një dritë jeshile në samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë për kërkesën e saj të anëtarësimit në aleancën më të madhe ushtarake të globit.

Por presidenti amerikan Joe Biden u tregua i prerë me pohimet e fundit se vendi nuk është gati për një hap të tillë. Përpara se Ukraina të marrë një ftesë të tillë, tha Biden, duhet të ketë përfunduar një herë lufta me Rusinë.

“Unë nuk mendoj se ka unanimitet në aleancë lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në familjen e NATO-s tani, në këtë moment, në mesin e një lufte. Ne jemi të vendosur të angazhohemi në çdo centimetër të territorit që është territor i NATO-s. Është një angazhim të cilin të gjithë e kemi bërë pa marrë parasysh çfarë ndodh. Nëse lufta po vazhdon, atëherë do të jemi te gjithë në luftë”, u shpreh Biden.

Dy ditë më parë, gjatë një interviste për CNN-in, Biden u shpreh se megjithëse është herët të flitet për përfshirjen e Ukrainës në Aleancë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë të NATO-s do të vazhdojnë të furnizojnë Kievin me armët e nevojshme për t’u mbrojtur kundër pushtimit të pajustifikuar rus.

Kjo intervistë u realizua para nisjes së tij për një turne në tre vende të Europës. Ky rrugëtim i shefit të Shtëpisë së Bardhë nis në Londër. Ai do të jetë në Vilnius për samitin e NATO-s më 11 dhe 12 korrik, dhe në fund shkon Finlandë për t’u takuar me udhëheqësit e vendit më të ri anëtar të aleancës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA