U shkarkua nga detyra, Çuçi: Nder dhe përgjegjësi e madhe të ushtroja këtë funksion të lartë publik

08/07/2023 21:46

Bledi Çuçi ka reaguar pas shkarkimit nga detyra si ministër i Brendshëm.

Përmes një mesazhi mirënjohje për kryeministrin Rama dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen e dhënë gjatë dy viteve e gjysmë që shërbeu në krye të këtij dikasteri, Çuçi e konsideroi nder dhe përgjegjësi të madhe ushtrimin një prej funksioneve më të larta publike.

Socialisti gjithashtu nuk ka nguruar të bëjë edhe një raprezale të sfidave të tejkaluara me sukses së bashku me skuadrën e Ministrisë së Brendshme, ndërsa i uron Taulant Ballës suksese në detyrën re.

“Falënderoj kryeministrin Rama për besimin dhe mbështetjen që më ka dhënë këto dy vite e gjysmë në detyrën e vështirë të Ministrit të Brendshëm. Për mua ka qenë nder dhe përgjegjësi e madhe të ushtroja këtë funksion të lartë publik dhe shumë të rëndësishëm.

Prej ditës së parë kur e mora atë detyrë e deri më sot kam punuar e shërbyer me integritet dhe bashkë me skuadrën e Ministrisë së Brendshme kemi adresuar shumë sfida që lidhen me sigurinë, rendin publik, emigracionin, gjendjen civile dhe pushtetin vendor.

Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ishin krah meje në këtë rrugëtim sfidues.

Suksese Taulantit në sfiden e re, për të vijuar me reformat transformuese në këtë ministri e veçanërisht në Policinë e Shtetit”- tha Çuçi.

Më herët, ishte vetë kryeministri Edi Rama që dha lajmin e shkarkimit të Bledi Çuçit nga detyra e ministrit të Brendshëm. Përmes një mesazhi në Twitter, Rama sqaroi gjithashtu se ka vendosur t’i propozojë zyrtarisht të hënën Presidentit të Republikës emërimin e Taulant Ballës në detyrën e ministrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA