Manastirliu-Kumbaro nga Qendra Shëndetësore Orikum: Gati për sigurinë e turistëve, mbi 4 mijë qytetarë morën shërbim në qendrat verore

08/07/2023 11:22

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, bashkë me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, në kuadër të inspektimeve për sigurinë gjatë sezonit turistik, kanë vizituar qendrën e re shëndetësore në Orikum, e rikonstruktuar nga Programi Kombëtar i Rehabilitimit të Qendrave Shëndetësore në të gjithë vendin, e cila është një prej 30 qendrave që janë hapur 24/7 për turistët dhe pushuesit gjatë këtij sezoni veror

“Qendra shëndetësore e Orikumit është një qendër, e cila është rehabilituar së fundmi, falë programit tonë të rehabilitimit dhe rindërtimit të qendrave shëndetësore dhe ambulancave, kudo në të gjithë vendin. 360 janë qendrat shëndetësore dhe ambulancat e rehabilituara dhe të rindërtuara, ku ofrohet një shërbim  cilësor dhe kushte shumë të mira për mjekët dhe infermierët. Nga ana tjetër kjo qendër është edhe një qendër e re socio-shëndetësore, sepse tashmë prej pak muajsh kemi prezencën e psikologut, ku ofrohet shërbimi i nevojshëm për të gjithë ata të cilët kanë problematika të shëndetit mendor, por edhe për të identifikuar raste të familjeve apo individëve që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike”,– tha Manastirliu.

Duke folur për shërbimin që ofrohet në 30 qendrat shëndetësore verore, Ministrja Manastirliu u shpreh:

“Janë rreth 4 mijë qytetarë, pushues, turistë të cilët kanë marrë shërbime në qendrat shëndetësore verore, 30% prej tyre janë pushues të huaj. Puna nuk ka ndaluar dhe gadishmëria jonë ka qenë maksimale sepse tashmë kemi përforcuar stafet edhe në qendrat ekzistuese, por edhe në qendrat që janë haour për sezonin turistik dhe janë rreth 170 mjekë, infermierë, punonjës dhe operatorë shërbimi, të dedikuar për të kryer këtë shërbim. Nga ana tjetër të gjithë spitalet tona rajonale janë të përforcuara dhe në gadishmëri”,- tha Ministrja Manastirliu.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka vlerësuar punën e strukturave shëndetësore përgjatë sezonit turistik.
“Nuk kemi vetëm një turizëm me natyrë të bukur, por kemi një turizëm të sigurt, të pastër dhe kjo është arsyeja pse task forca është e mobilizuar në të gjithë territorin. Eshte e rëndësishme që turistët të dinë se atje ku bëjnë plazhe, kanë gjithmonë një qendër, si kjo e Orikumit që ju shërben, me qëllim që të ofrojmë gjithë kushtet e sigurisë”,- nënvizoi Kumbaro.

Qendra Shëndetësore Orikum është një pikë referimi për sezonin turistik në këtë zonë, pasi ofron shërbim 24 orë. Pas rikonstruksionit Qendra Shëndetësore Orikum ju shërben sipas standarteve më shumë se 11 mijë banorëve si edhe turistëve të shumtë gjatë sezonit turistik. Në të gjithë vendi janë hapur prej 15 qershorit, 30 qendra shëndetësore verore, ku ofrohet shërbim pa ndërprerje, për t’iu përgjigjur në kohë dhe me cilësi emergjencave shëndetësore gjatë sezonit turistik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA