Gara për kryetar/ Basha kërkon sërish zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës: Deputetët t’i zgjedhin qytetarët, jo bandat kriminale

08/07/2023 19:35

Ish-kryetari dhe kandidati për kryesimin edhe njëherë të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar sërish zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, si e vetmja zgjidhje për rikthimin e shpresës tek shqiptarët.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Basha vijon të ripërsëris disa nga premtimet e parealizuara në të shkuarën si: hapje listash, pastrim i politikës përmes vetting-ut, kufizim i mandatit të kryeministrit apo edhe garantimin e votës së diasporës, duke i konsideruar ato së bashku me hapjen e partisë ndaj të rinjve, prioritete të PD-së në të ardhmen.

“Hapja e Partisë Demokratike ndaj të rinjve dhe të rejave është një nga prioritetet tona.

Harmonizimi i frymës dhe pasionit të rinisë me përvojën dhe profesionalizmin e kontributorëve ndër vite, është një hap i rëndësishëm në riorganizimin që kemi nisur, për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë më të mirë.

Natyrisht pjesë e saj do të jenë të gjithë ata që duan ndryshim, që duan që për qeverisjen dhe deputetët të vendosin qytetarët dhe jo bandat kriminale që sot kontrollojnë shtetin, ekonominë, policinë, zgjedhjet, jetën e vendit.

Ne do të krijojmë një aleancë të gjerë politike dhe qytetare, që frikës dhe pasigurisë që ka pllakosur shoqërinë tonë, t’i kundërvihet me shpresë dhe besimin se gjërat mund të ndryshojnë për mirë, duke i dhënë rëndësi votës së qytetareve, që nis me zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës.

Që zëri i qytetarëve të dëgjohet, vullneti i tyre të përfaqësohet dhe interesat e tyre të mbrohen, do të punojmë fortë që mekanizmat kushtetues të jenë në shërbim të tyre, duke hapur listat, pastruar politikën përmes vetting-ut, kufizuar mandatin e kryeministrit, garantuar votën e diasporës, duke i dhënë më shumë kompetenca Parlamentit dhe Presidentit të Republikës, për të garantuar kontrollin dhe balancat e pushteteve”- shkruan Basha, ndërsa ka publikuar edhe disa pamje nga turi i takimeve në garën për kryetar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA