Kryeministri Edi Rama ndodhet në Sarajevë në ditën e dytë të turit ballkanik në kuadër të Procesit të Berlinit.

Rama sot do zhvillojë takime me krerët e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë në kuadër të Procesit të Berlinit.

Kreu i qeverisë u prit nga ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës, Elmedin Konakoviç. Më pas do të zhvillojë takim dhe konferencë të përbashkët me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Borjana Kristo.

Një ditë më parë ai zhvilloi takime në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ranë dakord në nevojën e maksimalizimit të përfitimeve ekonomike përmes projekteve të parashikuara në Iniciativën e Berlinit.

Gjatë qëndrimit në Kosovë ditën e djeshme ai u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Një takim me kryeministrin Albin Kurti mbeti pa u realizuar, edhe pse Rama u shpreh optimist se do të ketë një të tillë, pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, veprim ky përmes të cilit, siç tha ai, ia ka hequr ‘merakun’ homologut të tij.

Kurti pranonte të takohej me Ramën vetëm në një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive dhe jo takim kokë më kokë.

Pak ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Në këtë mënyrë ai lajmëroi fundin e nismës “Open Ballkan” në të cilën aktivisht ishin anëtarë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe që u pranua nga Mali i Zi, por jo Bosnja dhe Kosova.

Ndërkohë samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti dhe nga ky samit 5 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritshmëri të larta.

Top Channel