Kryeministri Edi Rama tha se ka ende shpresë që homologu i tij, Albin Kurti do të pranojë të takohet gjatë vizitës në Prishtinë këtë pasdite.
Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë turit ballkanik në kuadër të “Procesit të Berlinit”, Rama tha se sipas Kanunit, edhe hasmit i hapet dera kur të vjen në shtëpi.
– Edhe Kurti refuzon të takohet me ju dhe për atë që refuzon të takohet me ju dhe për atë që refuzon të përmbushë obligimet dhe kërkesat nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë dhe me këtë a cënohet imazhi pozitiv i shqiptarëve në rajon?
Kryeministri Edi Rama: Më lini ta trajtojmë mes shqiptarësh, në Kosovë kur të shkoj. Unë kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar kanunin që kur të vjen në shtëpi dhe hasmi, i hapet dera dhe është e ndaluar që ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën.
Rama gjithashtu bëri thirrje që t’i jepet një shtysë e re Procesit të Berlinit, pas suksesit të Ballkanit të Hapur.
Rama: Çfarë të keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur rajonit? Shihni shifrat e tregtisë. Nuk e kuptoj se si ka akoma dyshime kur faktet flasin qartë. Sa i përket vëllazërisë apo gjakderdhjes, mendoj që është rruga më e gabuar e mendimit shqiptar sot, nuk ka rrugë më të gabuar të rrimë në të shkuarën, të grindemi se kush është patrioti më i vërtetë, patrioti më i vërtetë është ai që do vendin e vet dhe që nuk i do të keqen. Kush nuk ka marrë pjesë në Ballkanin e Hapur ka bërë gabim. Çfarë është Ballkani i Hapur, një nga 72 nismat, sepse procesi i Berlinit nuk po ecte. Ka një ekspozitë së shpejti në Paris, produkt i kësaj iniciative, panairi i verërave i themeluar nga Ballkani i Hapur që do të vazhdojë, duhet të zhytemi me mendje dhe zemër në procesin e Berlinit për ta kthyer në proces funksional siç Ballkani i Hapur tregoi. Shpresoj t’i japim një shtysë të re, jemi në një moment të një kapërcimi në një fazë të re të BE, është një urë këmbët e tij duhen forcuar. Jeta e bukur është se secili mund të këndojë këngën e vet jetojmë në liri dhe demokraci, kush mendoi se Ballkani i Hapur dështoi le ta këndojë.
Përmes një mesazhi në Twitter në mëngjes, Rama tha se 13 marrëveshjet Shqipëri-Kosovë që ishin parashikuar të firmoseshin gjatë mbledhjes së përbashkët e cila u anulua, janë firmosur nga qeveria shqiptare dhe janë dërguar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës, nd/rsa pret konfirmimin e takimit me Albin Kurtin.
“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shkroi Rama.
Kurti nga ana tjetër tha se pranon të takohet me Ramën vetëm në një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive dhe jo takim kokë më kokë.
Kreu i qeverisë shqiptare po zhvillon një tur dy ditor në Kosovë, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinë, në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili pritet të mbahet në Tiranë në muajin tetor. Ai zgjodhi që ta niste turin në Shkup, ndërsa pritet të shkojë pasdite në Prishtinë.
Pak ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Në këtë mënyrë ai lajmëroi fundin e nismës “Open Ballkan” në të cilën aktivisht ishin anëtarë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe që u pranua nga Mali i Zi, por jo Bosnja dhe Kosova.
Top Channel