Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim shefin e OSBE-së, Michael Davenport dhe zëvendës shefin e OSBE-së Jeffrey Bieley.

Në takim u bisedua edhe për de-eskalim të situatës në katër komunat në veri dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Ndërkaq, siç njofton Zyra e Kryeministrit në lidhje me zgjedhjet e reja, kryeministri tha se duhet të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të planifikuara e përgatitura mirë, me garë të hapur dhe pa frikësim.

“Kryeministri e njoftoi Davenport për emërimin e nënkryetarëve nga komuniteti serb në komunat në veri: Katarina Axhançiq, nënkryetare e Komunës së Mitrovicës Veriore, Slagjana Pantoviq, nënkryetare e Komunës së Zveçanit, dhe Dragana Miletiq, nënkryetare e kuvendit komunal në Leposaviq, si dhe për emërimin nga Kuvendi me vota të fshehta të Sergjan Sentiq në pozitën e zëvendës Avokatit të Popullit”, citohet në komunikatë Kurti.

Në takim është bisedua po ashtu për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe zhvillimet në vend.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Davenport i shprehu mirënjohje kryeministrit për progresin me Njësinë e Përkthimit dhe Harmonizimit, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Top Channel