Dera e Albin Kurtit mbeti e mbyllur për Edi Ramën duke shënuar rastin e parë të mos mikpritjes të një kryeministri nga Tirana, nga një kryeministër i Prishtinës.

Por presidentja Vjosa Osmani e cila për shumë çështje është treguar më fleksibël dhe më afër qëndrimeve të Perëndimit, nuk ia mbylli derën Edi Ramës. Presidenca e Kosovës bëri këtë koment për takimin.

Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t`i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë.  Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Sa i përket Samitit të Procesit të Berlinit, u bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ndërkohë që Edi Rama sapo kishte nisur takimin me presidenten Vjosa Osmani, nga godina përballë e kryeministrisë Albin Kurti përfundoi ditën e punës.

Qëndrimin në ambientet e parlamentit të Kosovës kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi edhe për një takim me ambasadorin e SHBA në Kosovë Jeffrey M. Hovenier. Kryetari Parlamentit të Kosovës i cili e mikpriti kryeministrin Edi Rama, nuk u distancua nga mos realizimi takimit me kryeministri Kurti.

“Ne nuk kemi probleme shtetërore me Republikën e Shqipërisë. Më duket se ë shumë problem ka ardhur më shumë nga ana e Shqipërisë. Qeveria shqiptare ka pasur problem me qeverinë e Kosovës, pa asnjë arsye madhore e substanciale e anuloi mbledhjen e dy qeverive. Nuk është një acarim sa mos të takohen fare. Është natyrisht, siç është ndjerë Republika e Kosovës do të kisha përdorur shprehjen lëndim. Ne kemi qenë të lënduar. Natyrisht do të takohen së shpejti do të rregullohen së shpejti edhe nëse jo sonte.”- tha Konjufca.

E marta e 6 korrikut 2023 do të shënohet në historinë e kombit shqiptar, si një datë e cila nuk na bën aspak krenar, vllazëria Kosovë-Shqipëri u thye. Por le të shpresojmë të jetë një thyerje e riparueshme në të ardhmen.

Top Channel