Valter Bami është arrestuar si person përgjegjës në lidhje me vrasjen e ndodhur tre ditë më parë në Larushë të Krujës, ku objektiv ishte Gentjan Bejtja, por u vra kunati i tij dhe mbetën të plagosur dy fëmijët.

Policia bën me dije se ekspertët kanë gjetur në duart e tij faktorë plotësues në lidhje me ngjarjen, dukë përfshirë mbetje baruti, që tregojnë se ka përdorur armë.

Bami është ndaluar me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit.

DVP Tiranë

Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 03.07.2023, ku në fshatin Larushkë, Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit G. B., është qëlluar me armë zjarri e si pasojë ka humbur jetën shtetasi R. S. Rreth orës 04:00 të po kësaj date, është shoqëruar shtetasi V. B., 37 vjeç, të cilit i janë marrë faktorët plotësues dhe deklarim në lidhje me ngjarjen e mësipërme e më pas është lënë i lirë, ju informojmë se:

Sot me datë 06.07.2023, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të shtetasit V. B., janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri.

Mbi bazën e këtij akti ekspertimi, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lëshuar sot më datë 06.07.2023, urdhrin e ndalimit për këtë shtetas për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Po sot, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, Nikël, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë shtetasi V. B., 37 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë.

Ndërkohë vazhdojnë intensivisht hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së mësipërme.

Si ndodhi ngjarja? 

Pak minuta pas mesnatës së 2 korrikut në fshatin Larushk të Krujës, u krye një atentat me armë ku mbetën të plagosur 2 fëmijë 13 dhe 10 vjeç si dhe humbi jetën një 29-vjeçar. Shënjestër e këtij sulmi dyshohet se ishte Gentjan Bejtja i cili ka një të shkuar të pasur kriminale por në ato momente ai nuk ishte në shtëpi dhe pasojat ranë mbi kunatin dhe dy fëmijët e tij.

29 vjeçari Ramazan Sino me profesion shofer në Prokurorinë e Apelit në kryeqytet me makinë po shoqëronte fëmijët e motrës drejt shtëpisë së tyre. Sapo mbërritën në verandën e shtëpisë ata u përballën me agresivitetin e rreth 30 plumbave të qitura nga dy armë të ndryshme kallashnikovi. Si pasojë e të shtënave 29 vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje ndërsa nipi, 13 vjeçari Alvi Bejtja dhe fëmija tjetër 10 vjeç përfunduan në spital të plagosur.

Atentatorët dyshohet se ishin 3 persona të cilët u afruan deri pranë banesës pa rënë në sy të askujt pasi dhe kamerat e rrugës ishin hequr nga policia dhe e vetmja kamerë që punonte ishte ajo në oborrin e banesës. Dy qëlluan, ndërsa i treti po ashtu i armatosur qëndroi në makinë dhe i largoi menjëherë pas sulmit. Rreth 20 minuta më vonë policia gjeti në Tapizë nën flakë makinën e vjedhur që u përdor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA