Si të pandehur për inceneratorin e Elbasanit, Lefter Koka dhe Alqi Bllako  u mbrojtën në Gjykatën Antikorrupsion, duke kundërshtuar akuzat e SPAK, që ka kërkuar për të dy 14 vite burgim.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka kërkoi pafajësi për të treja akuzat, atë të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave si dhe heqje të bllokimit të pasurive me argumentin se siç këmbëngulën avokatët e tij, nuk ka konsumuar asnjërën prej tyre.

Përgjatë 6 orëve, avokatët e ish-ministrit relatuan shkaqet se përse sipas tyre hetimi i SPAK nuk qëndron, më kryesorja ajo e vazhdimit të aktivitetit të djegësit të Elbsananit dhe mos shpjegimit nga ana e prokurorisë se si i mori paratë ish-ministri . Lefter Koka foli vetëm 10 minuta duke mbajtur sa qëndrim politik por edhe kritik ndaj çiftit Meta.

Së pari Lefter Koka kritikoi partinë ku ka aderuar më herët, më pas kritikoi SPAK, por edhe Metën që sipas tij e përdori prokurorinë.

Ish-sekretari i përgjithshëm Alqi Bllako, i dyshuar për shpërdorim detyre u vet-deklarua i pafajshëm dhe i kërkoi gjykatës që të përballonte presionin. Bllako i kujtoi gjykatës se për shkak të detyrës që mbante nuk ishte në cilësinë e eprorit as për shpalljen e emergjencës mjedisore, aq për nisjen e procedurës dhe as për zgjedhjen e kontratës PPP, të vendosura nga organe kolegjiale.

U kuptua qartë se si një ekonomist Bllako kishte studiuar jurisprudence penale dhe administrative dhe jo vetëm, por edhe një seri vendimesh të gjykatës së lartë dhe kushtetuese që flasin mbi shpërdorimin e detyrës dhe organet kolegjiale

Në seancën e radhës, datë 20 korrik do të dëgjohet mbrojtja e të akuzuarve të tjerë. Në total për të dhjetë SPAK ka kërkuar 57 vite  burgim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA