Zbardhen detaje nga dosja e vrasjes së Rruzhdi Hoxhës. Zhdukja e biznesmenit u denoncua nga i biri, Saimir Hoxha, i cili sqaroi se për orë të tëra i ati ishte parë nën shoqërinë e vrasësit.
Në dosjen e siguruar nga Top Channel, Hoxha dëshmoi se: “babai ka dalë nga banesa me shtetasin Eri Topi të cilin e ka marrë në telefon për të ardhur dhe për ta marrë në shtëpi me mjetin e tij, por nuk ka pasur dijeni se ku do të shkonim. Samiri ka vënë re që babai i tij po vonohej dhe nuk po vinte në shtëpi, e ka telefonuar, por telefoni ka dalë i fikur. Ai ka deklaruar se që kur babai është larguar me shtetasin Eri Topi kanë humbur të gjitha kontaktet dhe nuk kanë pasur informacion mbi vendndodhjen e tij. Pas kësaj situate Samiri së bashku me të afërm dhe shokët e tij kanë kërkuar nëpër hotele ose adresa të tjera të cilat mendonin se mund ti frekuentonte shtetasi Rruzhdi Hoxha, por nuk kanë bërë të mundur gjetjen e tij. Shtetasi Samir Hoxha ka sqaruar se pasi kanë filluar të dyshojnë në lidhje me këtë situate, janë drejtuar në komisariat për të bërë kallëzim.”
Sipas dëshmisë së dhënë nga Saimir Hoxha, i ati Ruzhdiu, bënte “një jetë të shthurur si person, pasi ishte përdorues i lëndëve narkotike të llojit kokainë. Dilte për çdo natë me shokët e tij duke pirë kafe në zonën e Treshit, tek lokali i Ilir Bojës në Laknas, si dhe ka pasuar raste te vazhdueshme qe kur pinte shumë pije alkoolike ose kur konsumonte lende narkotike, qendronte duke fjetur nëpër hotele 2 – 3 dite por të paktën i vinte ne dijeni për vendndodhjen e tij.”
Nisur nga fakti i fikjes së telefonit si dhe të mos njoftimit për vendndodhjen, Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë dyshuar se bëhet fjalë për një problem serioz.
I pyetur nëse babai i tij ka pasur ndonjë konflikt ose borxhe, Hoxha ka sqaruar se i ati Ruzhdiu nuk ka pasur konflikte dhe se borxhet që kishte ia kishte paguar para tre vitesh. Samir Hoxha ka sqaruar se pas humbjes së babait të tij ka takuar disa persona lidhje shoqërore të Rruzhdiut. Edi Boja i ka thënë se e kishte lënë Ruzhdiun tek “Ardeno” ngjitur me dy portat kryesore, në autostradë më datë 21 tetor në orën 23.30, në pranin e shtetasit Erjon Topi. I nisur nga kjo, Saimir Hoxha pyeti Erjon Topin për rrethanat dhe ky i fundit i ka konfirmuar të njëjtat gjëra.
“Shtetasi Samir Hoxha ka telefonuar shtetasin Ferdi Rrushin me numrin e telefonit te tij 067****774 dhe i ka kërkuar takim për ta pyetur për babain e tij Rrushdiun, pasi Fredi ishte personi i fundit që ishte takuar me babain e tij. Fredi i ka thënë, se nuk ndodhej në shtëpi, por kishte shkuar tek puna në Martanesh, pasi ai atje punon si biznesmen në një minierë kromi” dhe në telefon i ka thënë se me kë e kishte parë të atin, Ruzhdiun, thuhet në dëshminë e Saimir Hoxhës të siguruar nga Top Channel.
Top Channel