Fundi i Ballkanit të Hapur, Xhafaj për REL: Rama u tërhoq për shkak të krizës në veri!

05/07/2023 14:51

Kryeministri shqiptar, Rama, deklaroi mbylljen e Ballkanit të Hapur, një nismë që hapi debate të forta në Shqipëri, por edhe përplasje në marrëdhëniet me Kosovën.

Ai pohoi pak ditë më parë se kjo nismë lindi për të çuar përpara Procesin e Berlinit, dhe, sipas tij, ky mision është kryer. Lidhur me këtë deklaratë të Ramës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është shprehur se “nuk mund të besojë se Rama e ka thënë një gjë të tillë”.

Ndërsa në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur reagime për këtë deklaratë. Përfundimin e Ballkanit të Hapur, Rama e kishte paralajmëruar që më 23 qershor, kur në një konferencë për media, deklaroi “ngrirje” të marrëdhënieve me Serbinë, për shkak të arrestimit të tre policëve të Kosovës.

Rama tha se nuk do të takohej dhe nuk do të fliste me presidentin e Serbisë, Vuçiç, për asgjë tjetër, veçse për këtë çështje, që i tensionoi më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Policët u liruan tre ditë më vonë. Nisma, që fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm maqedonas, Zoran Zaev.

Më 29 korrik 2021, ajo u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur. Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri, ndërsa asak nuk iu bashkuan  Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. Ish zv/ministri i Jashtëm, Etjen Xhafaj, tha për Radion Europa e Lirë se mbyllja e Ballkanit të Hapur erdhi si pasojë e zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës.

“Avancimet e bëra u tërhoqën përpara krizës në veri. Incidenti më i rëndë ishte arrestimi i tre policëve brenda territorit të Kosovës, që është thyerje e integritetit dhe është kujtesë e konfliktit të vitit ’99. Dhe, rrjedhimisht Rama mori vendimin që të kemi një platformë ku të mos jemi më vetëm gjashtë vendet duke diskutuar me njëra-tjetrën, duke gjykuar se në këtë moment ka nevojë për një arbitër që angazhohet për një projekt të përbashkët, fokusi do të jetë te Procesi i Berlinit”, deklaroi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA