Deputetja britanike, Alicia Kearns i ra kambanave të alarmit për atë që e përshkroi kontrabandë armësh nga Serbia drejt Kosovës.
Përpara Parlamentit britanik, ajo deklaroi se kontrabanda po zhvillohet përmes autoambulancave ndërsa përmendi edhe kishat ortodokse. Madje sipas ligjvënëses britanike të cituar nga mediat në Prishtinë, për këtë është në dijeni edhe KFOR-i.
“Qeveria është e vetëdijshme, me regjimentin ushtarak britanik të sapo kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona janë vënë në dijeni për këtë dhe janë përpjekur të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procesi i lejes zgjati shumë. Në momentin kur mbërriti leja-ndodhi e papritura, një ambulancë shkoi në kishë e i nxori jashtë prej andej të gjitha armët”, u shpreh Alicia Kearns.
Por KFOR-i i rrëzoi të tilla pretendime e sqaroi përmes një përgjigjeje me shkrim se nuk ka asnjë prove që të mbështesë këto pohime.
“Ngjarja e përmendur nga deputetja britanike i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror anglez u punësua në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it. Prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e këtij misioni, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Telegrafin.
Për çdo rast, krerët e këtij misioni sqaruan se në fund, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e Organizatave të Sigurisë së Kosovës.
Top Channel