I dërguari i Posaçëm i Be-së Mirosllav Lajçak, takimin e sotëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, e cilësoi të rëndësishme, ndërsa u shpreh se së bashku biseduan gjatë në tryezë.
Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ka thënë se ka mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e BE-së, por se “ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapa konkretë”.
Ai shtoi se me kryeministrin Kurti i kanë paraqitur pikëpamjet dhe idetë e tyre dhe se “kanë rënë dakord që procesi të vazhdojë”.
Lajçak nuk ka dashur të komentojë masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, por bëri të ditur se BE-ja i ka gati sanksionet edhe për Serbinë.
“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Nesër do të jem në Beograd. Dëshira ime është që mos të ketë sanksione për Kosovën dhe Serbinë, por që t’i kemi të dyja palët duke u takuar në Bruksel dhe të negociojnë se si të implementohet marrëveshja e muajit shkurt“, tha Lajçak.
BE-ja vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për çtensionimin e menjëhershëm të tensioneve dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetëson Burkseli.
Top Channel