Aventura e rrezikshme në parkun e lojërave/ Bllokohet karuseli, tetë persona qëndrojnë me kokë poshtë për orë të tëra

04/07/2023 21:52

Disa persona në SHBA përjetuan më shumë se sa thjesht një aventurë gjatë fundjavës, kur u bllokuan për disa orë në një tren lojërash.

Incidenti ndodhi të dielën në një panair në Wisconsin, në festivalin “Forest County”. Tetë pasagjerë mbetën të bllokuar për shkak të një problemi mekanik. Në vendngjarje u mblodhën me shpejtësi ekipet e shpëtimit. Një zjarrfikës, që ndodhej aty pranë përdori litarë shpëtimi për t’i ardhur në ndihmë pasagjerëve të tmerruar.

Megjithatë, atyre  duhej të qëndronin të duruar deri në mbërritjen e një platforme me shkallë. U deshën mbi tre orë që aventurieri i fundit të zbriste në tokë. Më pas, ata morën trajtimin e nevojshëm shëndetësor.

Dhjetë automjete zjarrfikëse, nëntë ambulanca dhe 50 persona nga tre qarqe ndihmuan në shpëtimin e pasagjerëve, njoftoi departamenti i zjarrfikësve.

Incidenti erdhi vetëm dy ditë pasi një burrë që kishte sjellë fëmijën në park, pa një shtyllë prej çeliku që kishte pësuar çarje në një nga makineritë, në parkun Carowinds në Charlotte të Karolinës së Veriut. Aktiviteti aty u ndërpre për të bërë inspektime dhe riparime.

Top Channel