Sot në rubrikën “Galeri”, të emisionit “E Diell”, për të rrëfyer mbi jetën dhe kontributin e dhënë shoqërisë shqiptare, ka qenë themeluesi i Shërbimit të Reanimacionit Kardiak, Anesti Kondili.
Një figurë shumë speciale dhe akademik i meritës që i ka dhënë shumë profesionit të mjekut në Shqipëri, si në periudhën e komunizmit, gjatë tranzicionit dhe tashmë në demokraci. Kondili tregoi për “Galeri” detaje nga prapaskenat e një episodi që ka mbetur në mendjen e çdo shqiptari, i cili gjatë rrëmujave të ’97-ës mendoi se gjithçkaje në këtë vend i kishte ardhur fundi.
Një mesazh, një thirrje e transmetuar përmes valëve të RTSH-së, që do të ndryshonte historinë.
Pjesë nga biseda:
Manushi: Në 1997-ën, kur na u duk sikur erdhi kataklizmoja dhe u duk sikur ky vend nuk do të bëhej më, në darkë në lajme na del një zë i ëmbël, familjar dhe i dashur që na thotë: “Thirrini mendjes o njerëz. Këta helikopterat që vijnë e marrin këta të huajt që ikin kanë punën e tyre. Ne jemi në këtë vend, ne do të jetojmë këtu, ne do ta bëjmë këtë vend. Pse e ndjeve doktor që duhet ta bëje këtë mesazh në këtë kohë, dhe nuk ishe në mesin e atyre që donin të iknin.
Kondili: Ishte mesazh zemre. Ajo duket edhe në mesazh vetë, ishte mesazh zemre, i vërtetë sepse situata ishte jashtëzakonisht i rëndë, ishte sikur po mbyteshim.
Unë shkova në spital për të vizituar të sëmurët, në 13 mars ka qenë, dhe pash një doktoresh aty që ishte mjeke roje. Pasi përfundova vizitën dëgjova atë që më thoshte: – Profesor ku do më lësh mua?
Më mbeti një kështu si xhëngë në kraharor. I them “do iki në television që t’i bëj një thirrje popullit” sepse po vriteshin kot më kot njerëzit me plumba qorr. Dhe kam shkuar me motor, lash motorin në shtëpi, shkova në television. U sajua një studio sepse s’kishte mbet më njeri, xham-xhim edhe aty, i vetmi television që kishim në vend ishte pa njeri. Vajtëm në një dhomë, u gjet një operator dhe u bë kjo që shikoni. Shifeni si është ambienti, është një ambient i veçantë.
Manushi: E dini ju Profesor që kjo mund të jetë një thirrje që ndryshoi historinë, na bëri më të ndërgjegjshëm ne në shtëpi, na bëri që të dalim të nesmen me një shpresë dhe një dëshirë.
Kondili: Është ekzakte. E keni përjetuar tamam sepse që nga ai moment që u dha mesazhi, filluan të gumzhinin telefonatat e falenderimit dhe filloi qetësia.
Dolën blindat dhe një officer i Ministrisë së Brendshme më tha: – Profesor, unë pas fjalës tënde do të kthehem në punë.
Manushi: Po, pikërisht sepse njerëzit morën kuraje. Njerëzit e shërbimit ushtarak dhe të gjithë…
Kondili: Po, u qetësuan dhe pastaj ditë dhe javë të tëra kanë dërguar mesazhe, kanë shkruar poezi. Dmth, ndryshoi gjithçka. Jam i lumtur edhe sot e kësaj dite sepse edhe shoferi me të cilin erdha këtu më tha: – Profesor unë ju mbaj mend nga ’97-ta. Mirëpo, dua t’ju them diçka. Unë bëra këtë veprim dhe ju ktheva bluzës së bardhë. Nuk u mora as me politikë e gjëra sado që pata oferta. Edhe sot e kësaj dite vazhdoj të mbaj bluzën e bardhë.
Manushi: Në “Galeri” jemi siç është jeta. Njeriu ndjen që duhet t’i shërbejë vendit të vet, doktori e ndjeu dhe e bëri diçka të tillë.
Top Channel