Në Francë ka rënë intensiteti i protestave të dhunshme, pasi dhjetëra mijëra policë u nxorën në rrugë në të gjithë vendin. Trazirat filluan pas vrasjes nga policia të një adoleshenti me origjinë afrikano-veriore të martën. Rreth 45,000 policë, përfshirë njësitë speciale, u nxorën në rrugë në tre qytetet Paris, Lion dhe Marsejë krahas automjeteve të blinduara dhe helikopterëve.

Autoritetet shtuan masat e sigurisë në zonën më të njohur të Parisit, ‘Champs Elysees’ pas thirrjeve në rrjete sociale për mbledhjen e demostruesve në sheshin e famshëm.

Rruga, zakonisht më e vizituara nga turistët, ishte e mbushur me forca sigurie që kryenin kontrolle. Në fasadat e dyqaneve u vendosen dërrasa për të parandaluar dëmtimet dhe plaçkitjet e mundshme.

Të rinjtë e ndaluar nga policia në ‘Champs Elysee’ thanë se ishin të zemëruar me policinë pas vrasjes së 17-vjeçarit, i qëlluar nga një oficer policie gjatë një ndalimi trafiku të martën në periferi të Parisit, Nanterre.

“Personi që u vra ishte adoleshent dhe për këtë arsye po dalin në protesta më shumë adoleshentë. Ne e mbështesim këtë lëvizje sepse kjo që po ndodh është e padrejtë”, tha një vajzë e maskuar që nuk pranoi të identifikohej.

“Imagjinoni sikur kjo t’i kishte ndodhur vëllait tim, në rrugë, sepse ai nuk pranoi të ndalonte. Dua të them se ne nuk jemi të sigurt këtu. Duhet të jemi të sigurt me policinë, por kemi frikë prej tyre. Nuk është normale”, tha një tjetër vajzë me maskë që foli gjithashtu në kushte anonimiteti.

Protestat e dhunshme shpërthyen fillimisht në Paris dhe më pas në qytete të tjera pasi një adoleshent me origjinë afrikano veriore vdiq nga plagët e marra kur një polic qëlloi mbi të ndërsa ai refuzoi të ndalonte makinën e tij. Viktima i identifikuar me emrin, Nahel u varros të shtunën pas një ceremonie fetare në xhaminë e zonës Nanterre, në periferi të Parisit.

Por, jo të gjithë pajtohen me demonstruesit. Banorët e qytezës L’Hay-Les-Roses, rreth 10 km në jug të Parisit, dënuan dhunën e përdorur nga protestuesit që vuri në shënjestër edhe rezidencën private të kryetarit të bashkisë.

“Mbrëmë, protestuesit e dhunshëm, të cilët kishin qëllim të sulmonin dhe plaçkisnin bashkinë, por nuk mundën për shkak të barrierave, përfunduan duke sulmuar shtëpinë e kryetarit të bashkisë, zotit Jeanbrun”, tha Pierre, banor i qytetit.

“Ata po thyejnë gjërat pasi duan të përhapin terror, të sulmojnë zyrtarët e zgjedhur dhe të përpiqen të rrezikojnë vendin. Por nuk mendoj se ata e kishin në shënjestër një individ apo një kryebashkiak të caktuar”, tha zonja Marie Kristina, banore e L’Hay-Les-Roses.

Presidentja e rajonit Ile-De France që përfshin këtë qytet dhe Parisin, u shpreh e bindur se protestave të dhunshme po u vjen fundi.

“Jam e bindur se dhuna do të ulet në ditët në vijim. Të gjitha trupat, forcat që janë në terren po punojnë për ndërtimin e një sigurie të re në rajon, ndaj kam shumë besim. Ajo që po ndodh është dhunë e madhe e një grupi të vogël njerëzish që janë të organizuar dhe trajnuar shumë mirë dhe që duan të sfidojnë qeverinë. Por shteti nuk do të dorëzohet dhe ne do të luftojmë”, tha zonja Pecresse.

Ministria e Brendshme tha se 1,311 persona ishin arrestuar mbrëmjen e së premtes, ndërsa të shtunën u arrestuan edhe 200 persona të tjerë.

Trazirat konsiderohen si një goditje për imazhin e Francës e cila do të organizojë Lojërat Olimpike në vitin 2024.

Presidenti Emmanuel Macron shtyu një vizitë shtetërore në Gjermani që do të fillonte të dielën për të trajtuar atë që tani konsiderohet si kriza më e rëndë për qeverinë e tij që nga demonstratat e dhunshme në fund të vitit 2018./VOS

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA