Ekipi i emisionit “Exclusive” së bashku me gazetaren e Top Channel Anila Hoxha, kanë udhëtuar drejt Ukrainës, një Ukrainë që nga hambari i Evropës dhe të gjithë botës, tashmë është kthyer në një tokë të minuar për shkak të luftës.
Një Ukrainë, që nga vendi me GDP-në më të lartë të të gjitha kohërave prej 199.77 miliardë dollarë në 2021, do të kthehej në vendin e dhimbjes, të vuajtjes, por edhe vendi ku bashkohen historitë e mbijetesës dhe të ringritjes. Ashtu si shtëpia e bombarduar e Danielit të vogël, një fëmijë i vendosur në vëmendjen e medias botërore pasi i humbi fëmijëria nga lufta. Dhe që mbas sulmit rus u përpoq të mbante gjallë të ëmën, e cila mbeti e plagosur nga një copë predhë.
Të gjithë burrat e familjes së Danielit janë në luftë. Fëmija, nëna e të cilit u dëmtua në gjymtyrë ka udhëtuar së bashku me të drejt Gjermanisë për ti qëndruar pranë gjatë kurimit. Në vendlindjen e tij, quajtur Novoselvika, jo shumë larg kufirit rus dhe Bjellorus, ka qëndruar Nina.
Gjyshja 64-vjeçare jeton midis gërmadhave nga njëra anë dhe nga ana tjetër mureve të reja që po ngrihen. Vullnetarët po ndërtojnë një shtëpi të re për familjen ukrainase që shpresohet të nisë jetën aty ku ajo mbezi pezull prej shkurtit 2022.
“Ndodhem në Novoselvika, një fshat i cili është pothuajse 3 kilometra larg Chernihivit, rajon i sulmuar nga forcat ruse gjatë vitit të kaluar. Jam pikërisht në shtëpinë e 11 vjeçarit të quajtur Daniel, mamaja e të cilit mbeti e plagosur. Forcat vullnetare po ndërtojnë një shtëpi të re në mënyrë që kur Danieli të kthehet, ata të gjejnë një strehë dhe një shtëpi”- raporton gazetarja Anila Hoxha.
“Vitin e kalua Danieli ynë u bë i njohur për shkak të përpjekjeve tona dhe të fëmijës për ti përballuar pasojat e sulmit të rusëve. Ai shiste qumështin e lopës, shkonte në fermë, e shiste për të blerë ilaçe për mamanë që ishte e pamundur dhe në vështirësi. Ai kishte vetëm një çantë shpine, dhe ja doli të ruante dokumente. Ecte në këmbë dhe nuk kishte asnjë rrobë. Ky është vendi ku unë qëndroj, tani, mbas shkatërrimit të shtëpisë. Djali dhe dhëndëri janë duke luftuar. Danieli ka ikur në Gjermani me të ëmën. Vajza ka lëvizur në Kiev, sepse nuk ka më vend për të ndenjur këtu. Sulmi ndodhi midis datës 21 mars dhe 22 mars, ngado kishte ushtarë”- tha gjyshja e Danielit, Nina Vinnik.
Me zërin që i dridhet, e moshuara tregon se si vetëm macet kanë mbetur aty për t’i bërë shoqëri.
“Macet kanë qëndruar me mua, edhe ato janë plagosur, kanë shenja”- tha Vinnik, ndërsa zbulon se është vizituar edhe nga presidenti Volodimyr Zelensky, i cili ka bërë foto me macen.
“Kemi ardhur si vullnetarë për shtëpinë e Daniel, duam të gjejë shtëpinë kur të kthehet dhe ndaj kemi ardhur për ta ndërtuar atë. Nuk kemi për të humbur asgjë, ne jemi shkatërruar. Në nga vullnetaret ka ndërtuar muret e shtëpisë së re që po ngrihet, po ndërtohet çdo gjë nga asgjëja. Shikojeni vetë, ja gërmadha si kjo ka shumë e shumë të tjera. Ne jemi këtu , kemi ndërtuar deri tani 300 ndërtesa në këtë zonë dhe do të vazhdojmë. Po bëhet me donacion dhe ndihmën e qytetarëve të Cernihivit, të cilët ashtu si dhe për objektet e banesa të tjera, por ndërtojnë shtëpinë e tyre”- thotë vullnetari Andrii Halugha.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, tashmë në muajin e saj të 16-të i ka marrë jetën të paktën 500 fëmijëve në këtë vend, e pohuar kjo nga vetë presidenti Volodymir Zelensky. Nxjerrja e trupit të pajetë të një dy-vjeçareje nga rrënojat e banesës së saj të goditur prej raketave ruse në qytetin ukrainas Dnjipro, ishte një moment reflektimi për kreun e shtetit të Ukrainës mbi tmerret e kësaj lufte, dhe pasojat e saj edhe tek krijesat më të pafajshme siç janë fëmijët.
Kjo vdekje u kthye në klithmën më të fundit për vëmendje të vendit të gjendur nën një agresion brutal e të paprovokuar prej më shumë se një viti tashmë. “Armët ruse dhe urrejtja, e cila vazhdon të marrë dhe të shkatërrojë jetët e fëmijëve ukrainas çdo ditë”, ka vrarë qindra fëmijë prej nisjes së luftës në 24 shkurt 2022 – tha Zelensky.
“Shumica prej tyre do të mund të bëheshin shkencëtarë të njohur, artistë, kampionë sporti, apo të kontribuonin në historinë ukrainase”, shtoi me dhimbje ai. Sipas kreut të shtetit ukrainas, edhe shifra që ai ofron vjen sërish me përafërsi pasi është e pamundur.
“Numri i saktë i të miturve që kanë humbur jetën për shkak të konfliktit të vazhdueshëm nuk dihet, e kjo edhe për faktin se disa territore ukrainase tani janë nën pushtimin rus. Ne duhet të mbahemi fort dhe ta fitojmë këtë luftë. E gjithë Ukraina, të gjithë njerëzit, të gjithë fëmijët, duhet të çlirohen prej tmerrit rus”- do të shprehej asokohe Zelensky.
Top Channel