600 mijë njerëz u skllavëruan nga holandezët/ Mbreti kërkon falje: Ka qenë poshtëruese dhe çnjerëzore

02/07/2023 10:53

Mbreti holandez Willem-Alexander kërkoi zyrtarisht falje për përfshirjen e vendit të tij në tregtinë e skllevërve. Sipas vlerësimeve holandezët kanë skllavëruar rreth 600,000 vetë.

Monarku 56-vjeçar tha gjatë një ceremonie në përkujtim të 150-vjetorit të heqjes së skllavërisë në kolonitë holandeze, se ndjehet “personalisht thellësisht i prekur”.

“Poshtëruese dhe çnjerëzore”

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në parkun Oosterpark të Amsterdamit, ku ndodhet monumenti kombëtar holandez kundër skllavërisë mbreti Willem-Alexander tha: “Sot qëndroj para jush si mbreti juaj dhe si pjesë e qeverisë dhe kërkoj falje nga thellësia e zemrës dhe e shpirtit tim.”

“Nga të gjitha format e robërisë, skllavëria është më poshtëruesja dhe çnjerëzorja“, tha mbreti holandez.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, kishte kërkuar që dhjetor të vitit të kaluar zyrtarisht falje në emër të qeverisë për veprimet e dikurshme të shtetit holandez, duke e quajtur skllavërinë në ish-kolonitë e vendit si “krim kundër njerëzimit”.

Një nga fuqitë më të mëdha koloniale

Që nga shekulli i 17-të Holanda ishte një nga fuqitë më të mëdha koloniale. Gjatë më shumë se 200 vjetësh holandezët skllavëruan rreth 600,000 vetë, të cilët i dërguan me anije nga Afrika në Amerikën e Jugut dhe në Karaibe. Rreth 75.000 prej tyre nuk i mbijetuan transportit, theksoi mbreti në fjalimin e tij.
Mbretëria e Holandës ishte një nga vendet e fundit në Evropë, e cila e shfuqizoi zyrtarisht skllavërinë më 1 korrik 1863.

Vitet e fundit po shtohet ndërgjegjësimi se pasuria e qyteteve dhe muzeve holandeze i ka rrënjët në historinë koloniale të vendit./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA