Vetëm pak kilometra larg qendrës së qytetit të Durrësit, pasi kalon Currilat, shtrihet bregdeti i Kallmit me një peizazh fantastik, brigje shkëmbore dhe thellësinë e dëshiruar për çdo të apasionuar pas natyrës dhe plazhit.
Thyerja natyrale e bregut krijon gjire të vogla që ofrojnë qetësi dhe intimitet buzë detit.
“Ka shumë shkëmbinj dhe më pëlqen shumë kur ka shkëmbinj dhe është shumë i thellë”, shprehet pushuesja.
“Këtu është pastërti, qetësi. Ushqimi është perfekt. Ky gjiri këtu është dhe i qetë dhe i freskët. Ka dhe thellësi. Ndryshe nga pjesët e tjera të Durrësit”, deklaroi një pushuese tjetër.
Edhe turistë të huaj, të të gjitha grupmoshave, e kanë zbuluar magjinë e Kallmit.
“Hera e parë që vijmë në këtë plazh. Është shumë i bukur dhe shumë natyral. Nuk është çimentifikuar ndaj është fantastik. Ndoshta do pak më shumë kujdes për atë çfarë vjen nga deti, përshembull plastika, por gjithçka tjetër dhe deti është shumë i bukur”, tha turistja italiane.
Këta të rinj janë nga Danimarka dhe e zbuluan Shqipërinë si destinacion pushimesh duke kërkuar në internet. Kur mbërritën në Durrës, nisën të eksplorojnë përtej qytetit.
Turistët shprehen:
“Ishim duke ecur për të gjetur rrugën për tek kodrat dhe e zbuluam gabimisht”.
“Ne donim të eksploronim dhe është shume bukur. Ecëm përgjatë bregdetit dhe ja ku jemi. Në qoftë se do ta gjenim më përpara do të rrinim më gjatë”.
“Shumë këndshëm dhe më relaksuese”.
Jo vetëm Kallmi dhe bukuria e tij, po pushimet e para nëpër Shqipëri kanë qenë mbresëlënëse për këta turistë që premtojnë se do të kthehen sërish për të shijuar natyrën, jetën e natës dhe mbi të gjitha mikpritjen e vendasve.
“Ka qenë vërtet argëtuese të jesh këtu. Jeta e natës, ushqimi i mirë dhe ecjet”.
“Kemi bërë xhiro një javë nëpër Shqipëri dhe sot ndaluam këtu për të bërë pak plazh. Njerëzit më kanë pëlqyer shumë.
– Pse si jemi ne shqiptarët?
– Më të sinqertë, më të thjeshtë. Nga ana njerëzore kjo s’ka çmim”.
Top Channel