Nata e shtatë e Festivalit Folklorik Kombëtar ishte nata e Gjirokastrës.
Plot shtatë zona etnografike nga Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe Dropulli sollën në festival një ndërthurje të rrallë të polifonisë, trashëgimi e UNESCO dhe rite të shumta jetësore, këngë dasme, valle të kënduara balada dhe kabanë me klarinetë të Përmetit. Qarku i Gjirokastrës solli në skenë dhjetëra artistë të vjetër e të rinj si dhe një grup valltarësh fëmijë për të dëshmuar edhe përcjelljen e traditës. Polifonia e Zagorisë me tre marrëse dhe legjenda tradicionale e Kostandinit dhe Dhoqinës ishte një tjetër e veçantë e prurjeve polifonike.
Pjesë e debutimeve në skenën e festivalit ishin edhe grupet e diasporës shqiptare në SHBA, Greqi si dhe një grup arbëresh nga Italia e Jugut. Ata sollën motive gati 500 vjeçare që prej periudhës së Skënderbeut dhe një rit tradicional të së martës së Pashkës së Madhe.
Më vonë në mbrëmje festa u zhvendos në pazarin tradicional me Eneda Tarifën dhe grupin e saj. Qindra vetë festuan nën ritmet e muzikës nga i gjithë vendi si dhe këngë të zgjedhura të këngëtares.
Sot në natën përmbyllëse të festivalit folklorik priten grupe të tjera të diasporës si dhe një përmbledhje e ritmeve më të pëlqyera të këtij festivali.
Mbrëmja do të mbyllet sërish në pazar me orkestrën e Renzo Arbore, Marsela Çibukaj dhe në fund me bandën e Flamur Canës.
Top Channel