Për herë të parë në programin Artkand me Jetona Koçibellin u shfaqën disa dokumente (fermane dhe fotografi ) të arkivit shumë të pasur personal të Nedim Vlorës, stërnipi i Ismail Qemal Vlorës.
Z. Vlora jeton në Bari të Italisë dhe deri më tani janë digjitalizuar mbi 500 njësi të arkivit të tij personal. Sfida e këtij koleksioni me rëndësi të veçantë qëndron në faktin e degradimit të disa loteve të caktuara.
I ftuar në program Alban Kardashi dhe Genti Gjikola folën për rëndësinë e këtij arkivi, sepse përkon me shembjen e një perandorie dhe fillimin e një epoke të re në historinë e Shqipërisë.
“Siç mund ta shikoni ky është një fermanet. Bëhet fjalë për një ferman udhëzues të pagesave, është diçka ekonomike. Por gjendja është shumë kritike. Është ngjitur me ngjitëse që krijojnë aciditet”, tha Alban Kardashi, për një nga veprat.
“Kjo tjetra është një foto familjare. Është gjyshi nga familja e nënës së Medinit. Një ndër familjet më të rëndësishme franceze, Escoffier. Ismail Qemali ndërkohë ka qenë martuar dy herë. Lidhjet që kanë pasur si familje janë në rangun e aristokracisë së kohës”, tha Kadrashi.
“Kjo është një foto e një emocioni të veçantë. Në foto është djali i Ismail Qemalit. Qazimi, I preferuari i tij. Ai që ka qenë në krah të tij kur u helmua. Ismaili është në moshë të thyer dhe nuk mund të përballonte, ndërsa i biri shpëtoi”, shpjegoi Alban Kardashi.
Top Channel