Ministeriali i energjisë/ Ministrat e pesë vendeve të Ballkanit diskutojnë energjinë e pastër

30/06/2023 19:41

Ministeriali rajonal për energjinë u mblodh sot në Tepelenë me praninë e ministrave të pesë vendeve të Ballkanit si dhe drejtuesve kryesorë të Këshillit Europian të energjisë, ku Shqipëria po mban aktualisht presidencën e radhës.

Takimi u përqendrua në fazën paraprake të diskutimeve të një draft propozimi që sugjeron kufizimin e emetimeve të karbonit me përfitime mjedisore dhe ekonomike. Krahas kritereve të tjera ky është një parakusht i anëtarësimit të të gjitha vendeve kandidate në BE.

Shqipëria lidhur me këtë standard sipas analizës fillestare është vendi më i avantazhuar për shkak të përdorimit të energjisë së pastër në një shkallë të gjerë. Por sfidat gjithsesi mbeten të shumta për të gjitha vendet e rajonit. Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut z. Kreshnik Bekteshi tha se implementimi i këtij standardi do të jetë sfidues për ekonominë por procesi do të marrë kohën e vet dhe vendi do të përgatitet të shfrytëzojë potencialin e tij në fushën e energjisë së rinovueshme.

Zv. drejtorja e përgjithshme e Sekretariatit Europian të emergjisë e komentoi takimin në Shqipëri dhe sidomos në Jug pranë Vjosës që së fundi u shpall park kombëtar një aspekt shumë pozitiv për Shqipërinë. Ajo gjithashtu shtoi se standartet për reduktimin e emetimeve të karbonit nuk presupozojnë vetëm kufizime por edhe cilësi më të mirë të jetës, mjedis më të pastër dhe shtim të vendeve të punës.

“Është një takim informal por mbi një çështje shumë të rëndësishme si ajo e tranzitimin e energjisë së pastër dhe sfidën e ndryshimeve klimatike. Besoj se të gjitha vendet pjesëmarrëse në nivel ministrash kanë pasur vullnetin të diskutojnë sesi ne mund të bëhemi më eficent me energjinë, si ta kemi atë të pastër, të rinovueshme dhe të përballueshme sepse siç e dini ne kemi pasur një krizë të madhe të energjisë vitin e kaluar. Siç e dini ka pasur diskutime dje për Shqipërinë për pranimin e mundshëm në BE dhe energjia është një fushë paraprake. Shqipëria po bën një punë shumë të mirë kur flitet për energjinë e pastër dhe në aspektin natyror po punohet pasi 30% e vendit është e zënë me parqe të mbrojtur dhe së fundi edhe Vjosa një park i mbrojtur janë avantazhe të rëndësishme për Shqipërinë”, tha Mechthild Wörsdörfer.

Sekretariati mban katër takime vjetore dhe ministeriali i Shqipërisë ishte në kuadrin e fazës përgatitore për takimin e muajit nëntor kur do të flitet në terma më konkretë kohorë dhe plan aksionesh për secilin vend.

Top Channel