Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi krijimin e një organizate të pavarur për të hetuar fatin e mijëra personave që mbeten të zhdukur në Siri që nga shpërthimi i luftës në vitin 2011, duke tejkaluar kundërshtimet nga Damasku.
Sipas grupeve joqeveritare, rreth 100 mijë njerëz rezultojnë të zhdukur që nga fillimi i një goditjeje brutale të protestave antiqeveritare, gjithashtu më shumë se gjysmë milioni njerëz janë vrarë.
“Pas 12 vitesh konflikti dhe dhune në Republikën Arabe Siriane, është arritur pak përparim në zbutjen e vuajtjeve të familjeve duke dhënë përgjigje për fatin dhe vendndodhjen e të gjithë personave të zhdukur”, thuhet në rezolutën, e cila u miratua me 83 vota pro, 11 kundër dhe 62 abstenime.
Por Siria, së bashku me Rusinë, Kinën dhe Iranin, kundërshtuan krijimin e organizatës së re, duke thënë se nuk ishte konsultuar për rezolutën.
Institucioni i Pavarur për Personat e Zhdukur në Siri do të zbulojnë fatin dhe vendndodhjen e të gjithë personave të zhdukur dhe do të ofrojë mbështetjen e duhur për viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e të zhdukurve.
Rezoluta i kërkon sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, komisionerit të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut dhe palëve të tjera përkatëse që të përcaktojnë mandatin e organizatës së re në 80 ditët e ardhshme.
Top Channel