Banorët e Reçit në veri të Shqipërisë janë në panik, pasi gështenja, burimi kryesor i të ardhurave të tyre kërcënohet prej vitesh nga një grerëz që helmon pemët.
Me origjinë nga Kina, “grerëza e tëmthit” u përhap disa dekada më parë në Azi, më pas në Shtetet e Bashkuara, përpara se të arrinte në Evropë në fillim të viteve 2000.
Që nga viti 2020, insekti ka shkatërruar gështenjat në zonën e thellë në veri të Shqipërisë.
“Po na vret pemët”, thotë fermeri 64-vjeçar Prek Gjeloshaj.
“Dëmi është kudo, humbjet janë vërtet të rëndësishme”, vijon ai me emocion. “Për ne, çdo pemë që fiket është si vdekja e një njeriu”.
Reçi ka rreth 500 hektarë gështenja të cilat sigurojnë nga 60 deri në 70% të të ardhurave të zonës të prekur nga plagë e eksodit të banorëve të tij.
Sipas ekspertëve, prodhimi i gështenjave të shitura për t’u pjekur, apo për t’u shndërruar në krem ose miell gështenjash, është shkatërruar.
“Prodhimi, më parë ishte 400 deri në 600 tonë në vit, ka rënë me 80%”, tha për AFP Rexhep Metaj, një agronom 68-vjeçar.
Në Reç dominon frika dhe banorët po largohen. Kanë mbetur vetëm 100 familje, krahasuar me 200 para ardhjes së grerëzës shkatërruese. Por autoritetet kanë ndërmarrë një plan që ka pasur një farë suksesi në vende si Franca dhe Italia.
Për të katërtin vit radhazi, ata kanë lëshuar disa mijëra grerëza të tjera kineze të llojit torymus sinensis, të cilat lëshojnë vezët e tyre mbi larvat e grerëzës së tëmthit.
“Ne jemi të vendosur të mposhtim grerëzën e tëmthit, e cila çon në rënie të prodhimit dhe deri në vdekjen e pemëve”, nënvizon Irfan Tarelli, Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë.
Beteja e grerëzave mund të zgjasë sepse kërkon kohë që torymus të vendoset, ndërsa banorët e Reçit nuk kanë parë ende ndonjë rezultat bindës.
“Sëmundja jo vetëm që nuk është ngadalësuar por përkundrazi ka fituar terren”, shpreh keqardhjen Rexhep Metaj.
Një tjetër zonë ‘e infektuar’ nga grerëza e tëmthit është zbuluar rreth 200 kilometra larg, në Tropojë. Sipas Shpend Nikoçit, përfaqësues i kultivuesve vendas të gështenjës, paraziti do t’i kushtojë sektorit 6.5 milionë euro humbje. Gjithashtu do të jetë e nevojshme të pritet deri në maj 2024 për të futur torymus në këtë rajon.
Ministria e Bujqësisë, e cila nuk ka të dhëna globale për zonat e prekura, do të publikojë vlerësimin e parë të rezultateve të luftës së insekteve në dhjetor, sipas Irfan Tarellit.
Sipas specialistëve, nevojiten më shumë studime në terren për të gjetur zgjidhjet e duhura për Shqipërinë, ku 400 mijë pemë prodhojnë nga katër deri në gjashtë milionë ton gështenja çdo vit, më shumë se 25% e të cilave janë për eksport.
Por për Abdulla Dikun, inxhinier pylli, “kontrolli biologjik është e vetmja metodë për të përballuar shkatërrimet e grerëzës së tëmthit, për ta kontrolluar atë dhe për të siguruar rikthimin e ekuilibrit natyror të pyjeve të gështenjave”.
Top Channel