Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar 25 vite burg për Arbër Paplekajn, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 prill 2021 në Elbasan.
Në seancën e radhës gjyqësore, prokuroria ka paraqitur konkluzionet përfundimtare duke i qëndruar akuzës për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese.
Në seancën e radhës do të jetë mbrojtja që do të paraqesë konkluzionet e saj përfundimtare për çështjen “Paplekaj”.
Vrasja e 21 Prillit në Elbasan erdhi pas një konflikti për motive polike i cili degradoi në përdorimin e armëve. Në konflikt ishin të përfshirë një grupim militant i PS dhe e ashtuquajtura Struktura për Mbrojtjen e votës në PD. Kjo e fundit pretendonte që në mjetin me simpatizantë të PS bliheshin vota. Gjatë konfliktit mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, militant i PS ndërsa u vetëdorëzua në polici Arbër Paplekaj, në atë kohë shoqërues i Drejtuesit Politik të PD në Elbasan Gazmend Bardhi.
Po për të njëjtën ngjarje janë duke u gjykuar për shpërdorim detyre dy ish nëndrejtorë të Policisë së Elbasanit dhe 6 efektivë te repartit Shqiponja.
Pas konkluzioneve të mbrojtjes në 7 Korrik, pritet vendimi i gjykatës për një nga ngjarjet më të rënda me motive politike.
Top Channel