Revolta e shkurtër e trupave Wagner të Jevgeni Prigozhin ka ndryshuar edhe axhendën e punimeve të samitit të BE.
Zhvillimet e fundit në Rusi dhe ato të ardhshme për luftën në Ukrainë janë të paparashikueshme për të ardhmen ashtu si nuk dihet edhe e ardhmja e trupës Wagner. Nëse ushtria private Wagner grumbullohet në Bjellorusi, ky mund të kthehej edhe në një kërcënim për sigurinë europiane. E paqartë është po ashtu, se cilat rreziqe vijnë nga një Rusi e pastabilizuar. Pas zhvillimeve të fundjavës së kaluar, BE kërkon të demonstrojë unitet, ndër të tjera me shtetet partnere si SHBA. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është i ftuar në samit, ashtu si edhe presidenti, Volodymyr Zelenksi përmes video-mesazhit. Shprehimisht thuhet se BE do të mbështesë zgjerimin e kapaciteteve të industrisë së armatimit në Europë. BE po ashtu është gati për të blerë armatim të përbashkët. Para samitit të NATO-s në korrik në Vilnius, krerët e shteteve dhe qeverive anëtare duan të forcojnë bashkëpunimin brenda aleancës transatlantike.
Ndihmë për Ukrainën
Mbështetja për Ukrainën jo vetëm që do të vazhdojë, por edhe do të forcohet -si sinjal i qartë ndaj presidentit rus. Putin pret që brenda BE-së të marrë fund durimi, por ai do ta humbasë këtë bast, thuhet në Bruksel. Fondi Europian i Paqes, me të cilin financohet pjesa më e madhe e ndihmës ushtarake për Kievin, do të rritet me 3,5 miliardë euro. Vendime të tjera konkrete nuk priten. Komisioni Europian dhe vendet anëtare si Estonia dhe Lituania duan që Rusia të paguajë për rindërtimin e Ukrainës, e për këtë qëllim të përdoren pasuritë e ngrira ruse, përmes marrjes së fitimeve nga normat e interesit. Por ky plan shihet si i vështirë për t’u realizuar nga ana ligjore. Shumë qeveri kanë frikë se mundimi në fund nuk do t’ia vlejë.
Tema tjetër një tribunal i posaçëm për krimet në Ukrainë. Por se si do të jetë i organizuar ky tribunal ende nuk dihet. Edhe për garancitë e sigurisë për Ukrainën do të flitet, sipas BE dhe NATO-s kur lufta të ketë marrë fund.
Reforma e azilit
Me kompromisin e ministrave të Brendshëm të BE debati për reformën e azilit nuk ka marrë fund. Hungaria dhe Polonia nuk duan të pranojnë refugjatë si më parë dhe refuzojnë pagesat si kompensim. Kryeministri hungarez kërkon që azilkërkuesit të presin jashtë
kufijve të BE, derisa të jetë vendosur për aplikimin e tyre. Marrëveshje përkatëse për këtë kërkohen si nga Italia dhe Austria.
Kurse vende si Bullgaria, Danimarka, Holanda pritet të përsërisin kërkesën e tyre, për të marrë fond nga BE për ngritjen e gardheve kufitare. Për Gjermaninë nuk është e mirëpritur që tema e migracionit të kthehet në një temë debati në samit, sepse koalicioni qeverisës gjerman nuk është i mendimi për këtë çështje.
Financat
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen kërkon 66 miliardë euro shtesë për buxhetin e BE, duke iu referuar ndryshimeve që kanë ndodhur në botë që nga viti 2019, kur vendos buxheti i BE. Pandemia e Coronës, sulmi rus ndaj Ukrainës dhe inflacioni i lartë kanë rritur shpenzimet. Injeksioni i ri fianciar do të duhej të ndihmonte BE të vazhdonte mbështetjen për Ukrainën, të përballonte sfidat e migracionit dhe të investonte në teknologjitë e reja. Por për këto kërkesa të reja financiare nuk ka shumë entuziazëm tek vendet anëtare. Frenat do t’i shtypin vendet kursimtare -Danimarka, Suedia, Austria dhe Holanda. Edhe ministrat e Financave të Francës dhe Gjermanisë thonë, se nuk kanë asnjë cent tepër. /DW
Top Channel