Propozimi i kryeministrit Edi Rama për zgjidhjen e tensioneve Kosovë-Serbi me anë të një konference të nivelit të lartë është mbështetur nga presidenti i Bashkimit Europian, Charles Michel.
Me anë të një postimi në Twitter, Rama njoftoi se ky është një lajm i mirë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë.
“Një lajm i mirë progresi i idesë së konferencës të nivelit më të lartë, pa afat, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë, çka sot e mbështeti vetë Presidenti Charles Michel”, shkruan kryeministri.
Nga ana tjetër ai shtoi se i gjithë konflikti po degradohet gjithmonë e më tej, pasi mosmarrëveshjet vijojnë ende.
“Rajoni ynë nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt krejt i kotë, absurd, ku luhet me zjarrin e nacionalizmit duke prodhuar çdo ditë arsye për sherr, me veprime e mosveprime, akuza e kundërakuza, të cilat po e degradojnë përditë situatën në Veriun e Kosovës dhe po minojnë vetë ngrehinën e ndërtuar me aq shumë përpjekje të bashkëpunimit rajonal”, shkruan Rama.
Kryeministri shtoi më tej se politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit.
“Sot kur në Bruksel ka hyrë në axhendën e punës së Komisionit përgatitja e një plani të ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për vendet e rajonit tonë; kur Shqipëria përgatitet të presë Samitin e Parë të Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor; kur ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar, për ta çuar përpara këtë proces jetik për të ardhmen tonë të përbashkët europiane, duke forcuar lidhjet tona, ekonomitë tona, tregun tonë të përbashkët, Veriu i Kosovës po i ofron botës shfaqjen e një filmi bardhezi të Ballkanit të vjetër, i cili mund të argëtojë vetëm spektatorët cinikë në Lindjen kufijve të Bashkimit Europian…
Politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë sot, me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit dhe Kosova nuk mund të jetë pëlhura e pavetëdijshme mbi të cilën projektohen ato ëndrra, ndërkohë që disave prej tyre u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë”, përmbylli Rama.
Top Channel