Përfundon me sukses fluturimi i parë komercial në hapësirë. “Galactic 01” ka mundur të fluturonte përafërsisht 90-minuta në skajin e hapësirës me një ekuipazh prej gjashtë personash në bord.
Raketa u lëshua nga një aeroplan në rreth 15 mijë e 240 m lartësi. Më pas, “Galactic 01” vuri në funksion motorët, të cilët do ta dërgonin atë në një ngjitje vertikale përreth 50 milje mbi Tokë. Ekuipazhi përfshinte tre anëtarë nga Italia, dy kolonelë italianë të forcave ajrore dhe një inxhinier i hapësirës ajrore nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve të Italisë, si dhe instruktorin e tyre të Virgin Galactic dhe dy pilotët e anijes hapësinore.
Fluturimi, nga Spaceport America në New Mexico, ishte në mision kërkimor dhe ekuipazhi duhej të kryente 13 eksperimente kërkimore shkencore. Pasagjerët shpalosën një flamur italian, për të shënuar 100 vjetorin e forcave ajrore italiane, pasi arritën në hapsirën pa forcë gravitacionale. Më pas ata u kthyen në vendet e tyre para se të zbrisnin përsëri drejt Tokës.
Anija kozmike “VSS Unity” u rikthye në mënyrë të sigurtë në pistë pasditen e kësaj të enjte, rreth orës 15:45 me orën tonë lokale. Në referencë të kësaj eksperience të përmbyllur me sukses, kompania Virgin Galactic shkroi në Twitter: “Mirë se erdhe përsëri në Tokë, #Galactic01! Pilotët, ekuipazhi dhe anija kozmike u ulën pa probleme.”
“Galactic 01” është fluturimi i parë komercial i Virgin Galactic, megjithëse këtë herë ai nuk kishte turistë në bord. Një fluturim i ardhshëm në gusht do të sjellë klientë që paguajnë. Virgin Galactic tha se fluturimi i saj i parë komercial në hapësirë përfaqëson një epokë të re në misionet kërkimore të financuara nga qeveria.
Kompania ka punuar për vite të tëra për të dërguar pasagjerë me pagesë në udhëtime të shkurtra hapësinore, dhe në vitin 2021 ia arriti më në fund të fitonte miratimin e qeverisë federale. Rreth dy vite pasi mori dritën jeshile për të shkelur në hapësirë, Virgin Galactic i dha fund “luftës” me testimet për rezistencën e anijes kozmike në maj. Fluturimi i sukseshëm hapësinor i kësaj të enjte mblodhi të dhëna përmes ngarkesave, sensorëve të veshur, si dhe ngarkesave autonome të montuara në kabinë.
Nisja vjen një muaj pasi Virgin Orbit i Sir Richard-it njoftoi se po ndalonte operacionet pas një dështimi të misionit në Mbretërinë e Bashkuar. Nëse gjithçka shkon mirë, Virgin Galactic thotë se do të fluturojë përsëri në fillim të gushtit, me fluturime mujore më pas.
Kompania tha se tashmë ka rezervuar një numër prej rreth 800 klientësh për udhëtim në hapësirë, duke i tarifuar nga 250,000 deri në 450,000 dollarë për vend./ Burimi SkyNews – Përgatiti Borisa Lala
Top Channel