Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel e mbështeti idenë e mbajtjes së një konferencën ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes dy vendeve, që kanë mbjellë shqetësim në Perëndim.

“Ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së. Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor”, u shpreh presidenti i BE-së Charles Michel.

Idenë e mbajtjes së një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e hodhi në 27 qershor kryeministri Edi Rama, i cili bisedoi atë ditë për këtë çështje në Bruksel me disa zyrtarë të lartë europianë, përfshirë edhe vetë Michelin.

Kosova dhe Serbia vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për situatën e tensionuar në veri, ndërsa komuniteti ndërkombëtar e ka veshur kryesisht Prishtinën me përgjegjësinë e gjendjes së krijuar. BE-ja doli më herët me një plan masash për uljen e tensioneve, i cili, mes tjerash, përfshin shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri dhe tërheqjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës nga zona.

Plani kërkon, po ashtu, nga Serbia që të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja eventuale. Komuniteti serb i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të reja, me kushtin që të jenë brenda kornizave ligjore të shtetit.

Top Channel