Pamjet e pazakonta, ku 45 të arrestuarit e operacionit antidrogë në Elbasan transportoheshin me autobus turistik drejt Tiranës, janë diskutuar sonte në “Top Story”.
Avokati Jordan Daci e konsideroi rastin shkelje të rregullores sepse shoqërimi i të paraburgosurve, sipas tij, kërkon mjete të posaçme me rrjeta ndarëse, togë shoqërimi dhe një plan masash i cili merr miratimin e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në të njëjtat ujëra ka qenë edhe eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço.
Sipas Karmuços, në Shqipëri jo vetëm që është e ndaluar transportimi i të arrestuarve me autobus, por procedura standarde e shoqërimit është një i arrestuar me dy policë. Me thyerjen e protokollit, eksperti i kriminalistikës thotë se janë vënë në rrezik jetë njerëzish, pasi mundësitë ishin të mëdha që koka e bandës merrte një sulm ndaj autobusit për të eleminuar “ushtarët” me qëllim ruajtjen e identitetit të tij të fshehtë. Dhe më e rëndësishmja, sipas Karamuços, mund të jenë prishur provat.
“Duke qenë në një autobus, ata kanë filluar të koordinohen me njeri- tjetrin. Në sensin që “çfarë do thuash ti, unë s’kam qenë këtu etj…”. Dhe deri në Tiranë për 30-40 minuta rrugë me autobus, do të dalin të gjithë në një fjalë se çfarë do të thonë”- tha Karamuço.
Pjesë nga debati
Grida Duma: 45 veta u transportuan me autobus, sepse nuk mbaheshin dot në Elbasan. Mund të jetë paqartësi e imja, por më sqaroni a lejohet të transportosh 45 veta me autobus?
Jordan Daci: Jo, me rregullore nuk lejohet fare me autobus sepse shoqërimi i të paraburgosurve kërkon mjete të posaçme me rrjeta, kangjella, dhe shumë element të tjerë. Kërkon togë shoqërimi, plan masash – sidomos në rastin kur i shoqëruari përbën rrezikshmëri të lartë. Plani i masave miratohet nga Drejtoria Vendore e Policisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Nuk e di si e kanë bërë këtë punën e autobusit sot, por nuk lejohet me autobus. Aty rrezikohen të gjithë.
Karamuço: Unë nuk e di se si e kanë menduar, aty ndoshta ka pasur logjikë ekonomizimi që të mos harxhojnë shumë makina dhe naftë, por siguria ka qenë zero. Jo vetëm për ato që sapo u përmendën, por edhe për një fakt tjetër. Është rrezikuar të prishen provat që vijnë nga deklarimet e vetë atyre. Duke qenë në një autobus, ata kanë filluar të koordinohen me njeri- tjetrin. Në sensin që “çfarë do thuash ti, unë s’kam qenë këtu etj…”. Dhe deri në Tiranë për 30-40 minuta rrugë me autobus, do të dalin të gjithë në një fjalë se çfarë do të thonë. Ky është një gabim i madh që nuk e ka fajin Policia, por organi i hetimit sepse nuk duhet ta kishte lejuar. Këtu ka probleme në aspektin e sigurisë, rruga, autobusi a është i blinduar apo i ndarë, sepse Shqipëria e ka minimalisht një me dy. Një i arrestuar do dy policë. Ky është protokolli standard i shoqërimit, i sigurisë.
Grida Duma: Pra duhet të ishin 90 policë aty brenda.
Karamuço: 90, pra duhet të ishte autobus me 6 kate që të shoqëroheshin këta. Ka ndodhur njëherë kjo në SHBA, dhe kam qeshur sot sepse ai sherifi aty, që kishte arrestuar të gjithë këshillin bashkiak të distriktit, u mburr duke thënë e bëra kështu që mos të shpenzoja shumë për vajtje-ardhjet e makinave të policisë. Mirëpo ata kanë autobus të burgjeve, që ka kompartiment të ndarjes midis të dënuarve ose të arrestuarve, kurse ne e kishim autobus turistik këtu.
Po sikur të ishim përpara largqoftë një goditje për të asgjesuar personat që janë dëshmitarë dhe mund të nxirrnin pista të tjera… Megjithëse nga çfarë pash unë nga emrat dhe aq sa i njohim ne që studiojmë këto linjat e drogës, ata janë të gjithë tek niveli i “ushtarëve”. Organizatorë nuk ka dalë asnjë aty, fare. Asnjë kokë nga ata që njihet se mund të jetë koka. Kështu, këta kokat se kishin gjë këtë autobusin që t’i bënin nonjë gjë për ta mbyllur këtë histori që të mos dilnin vetë. Pra, këto i mendon Policia? Sepse është analizë risku kjo që e bën në bashkëpunim me Prokurorinë.
Top Channel