Është kthyer në trend tanimë blerja e medikamenteve on line, kryesisht ato që quhen OTC që nuk kanë nevojë për recetë mjeku, që në fakt me ligj është e ndaluar në vendin tonë.
Por, askush nuk e kontrollon këtë tregti barnash. Mos besimi i qytetarëve te barnat që hyjnë në tregun shqiptar farmaceutik, i shtyn ata të blejnë barna on line me mendim se i përkasin tregut europian apo vendeve të tjera ku kanë besim. Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve thotë se duhet ndërhyre menjëherë të paktën për të respektuar ligjin, pasi mund të rrezikojnë jetën e pacientit.
“Ligji e çmon të pamundur dhe të paligjshëm tregtimin e barnave on line”, thotë Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistit.
Toma shton se barnat kanë rregulla edhe për ruajtjen e tyre, që në fakt nëpërmjet tregtisë on line nuk i monitoron askush.
“Nuk e dimë sa i sigurt është ai bar që po merr, duke qenë se është veprimtari e paligjshme gjithçka bëhet jashtë ligjit, por dhe pa u monitoruar, nëse flasim për garanci për të ruajtur standardin e barit, ne nuk e kemi”.
Edhe pse ankesat i janë drejtuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë, askush nuk i jep zgjidhje këtij shqetësimi që vjen nga farmacistët.
“Ne e kemi përcjellë si informacion, po prapë mbetemi në këtë situatë. Mbledhim ankesa, përcjellim ankesa dhe nuk japin zgjidhje”.
Sipas Tomës, edhe pse barnat OTC jepen pa recetë mjeku, sërish, është farmacisti ai që duhet të udhëzojë pacientin për përdorimin, efekt, dhe plot situata që nuk ezaurohen nga fleta shoqëruese e barit.
Top Channel