Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kukës ku në pranga ra një 57-vjeçar, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i vulave i stampave dhe i formularëve”.
57-vjeçari me iniciale Xh.S., falsifikoi dokumente 21 vite më parë duke regjistruar si vajzën e tij, identitetin e një fëmije që nuk ekziston. Më pas në 2021-shin, pra dy vite më parë, e shpalli të vdekur këtë fëmijë, me qëllim çregjistrimin nga regjistri i Gjendjes Civile.
Nga hetimet rezultoi se 57-vjeçari e ka kryer këtë veprimtari kriminale të padëgjuar për të përfituar pension më të lartë, bazuar në ligjin e kohës.
Ndërsa nën hetim për shpërdorim të detyrës janë mjeku me iniciale A. E., dhe administratori i agjencisë funerale me iniciale sërish A. E, me qëllim provimin nëse këta shtetas kanë qenë apo jo të implikuar në nxjerrjen e dokumenteve false që ka përdorur shtetasi Xh. S.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar të DVP Kukës kanë siguruar informacione për një rast të falsifikimit të dokumenteve, me qëllim përfitimin, dhe mbi këtë bazë kanë iniciuar një procedim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për arrestimin e shtetasve përgjegjës”, sipas njoftimit të policisë
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel