Tension në Këshillin Bashkiak në Himarë/ Fredi Beleri dërgon letër nga burgu: Më penguan të marr detyrën

27/06/2023 10:27

Këtë të martë nisi punë këshilli bashkiak i Himarës me kryetar Dhimitër Kapaj nga radhët e socialistëve.

Mbledhja e konstituimit nisi me tensione nga mbështetësit e kryetarit të zgjedhur të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri. Ata kërkuan që të dalin jashtë sallës punonjësit  e tjerë ndërsa jashtë godinës u shpalosën parulla “lironi Belerin”.

Përpara fillimit të mbledhjes u shpërnda edhe mesazhi nga burgu i fituesit të zgjedhjeve Fredi Beleri i cili akuzon se e  penguan që të marrë detyrën.

“Pas sulmit shpifës dhe vulgar ndaj meje nga Edi Rama në javën e fundit zgjedhore, arrestimit tim të paligjshëm dy ditë para garës zgjedhore, paraburgimit tim për 45 ditë, sot më penguan të marr detyrën duke tjetërsuar për momentin, rezultatin e zgjedhjeve. Pavarësisht kësaj, unë ende besoj në fuqinë e së vërtetës. Unë ende besoj në fuqinë e së mirës dhe virtytit. Prandaj ju kërkoj të tregoni durim, besim në demokraci dhe në shtetin e së drejtës, në atë që mbrojtët me votën tuaj. Sepse më 14 maj fitoi Demokracia. Fitoi Himara”, tha Beleri.

Burgosjen e tij, Beleri e lidh me minoritetin dhe jo me akuzën e shitblerjes së votës. Ndërsa i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë pasi sipas tij, janë shkelur vlerat e demokratike të shtetit të së drejtës.

“Sot një kryetar bashkie i zgjedhur në këtë pjesë të Evropës, një qytetar pjesëtar i minoritetit, u pengua të merrte detyrën. Sepse sot u konfirmua synimi i kundërshtarëve të popullit, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. U drejtohem të gjithë anëtarëve përkatës të të gjitha organizatave ndërkombëtare të cilët sipas kompetencës së tyre mbrojnë dhe ruajnë të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës, duke u kërkuar të mbrojnë jo Fredi Belerin, as pjesëtarët e minoritetit etnik grek në Bashkinë e Himarës, as shumicën e qytetarëve që më zgjodhën, jo demokracinë në Shqipëri apo rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur atë që përfaqësojnë, për të mbrojtur historinë e tyre dhe pikësëpari të ardhmen e tyre”, shtoi Beleri.

Këshilltarët e rinj bashkiakë nga Bashkë Fitojmë kërkuan që Beleri ta bëjë betimin në Skype. Deri në marrjen e një vendimi të prerë gjykate se çfarë do ndodhë me Bashkinë Himarë qëndron në detyrë kryebashkiaku i mandatit të kaluar Jorgo Goro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA