Qytetarë serbë janë mbledhur në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

Në deklaratën e lexuar nga Lista Serbe -nënvizohet se komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar ndaj dhunës”. Ky pretendim ilustrohej me arrestimin e disa qytetarëve serbë, të cilët autoritetet në Kosovë i akuzojnë për “shkelje të rendit kushtetues”, si dhe për sulme ndaj misionit të NATO-s, KFOR, policisë dhe gazetarëve.

Deklarata ndërkohë, përmban edhe një paralajmërim: Nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saj, serbët në Kosovë do të detyrohen t’u përgjigjen “të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”, theksohet aty.

“Ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për të qëndruar dhe mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, thuhet në dokument. Në tubimin e Graçanicës, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtic, i cili i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i mbrojë serbët nga autoritetet e Kosovës, e tha se “problemet ne nuk i kemi me popullin shqiptar, por me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe regjimin e tij”.

Lirimi i policëve të Kosovës u përshkrua në tubim si shenjë se Serbia dëshiron ta zgjidhë krizën në mënyrë paqësore. Serbët nga Kosova, Serbia dhe vende të tjera të rajonit tradicionalisht e festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan, rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA