Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës paraqitën të martën “deklaratën e Vidovdanit”, me të cilën kërkuan siç thanë ndaljen e dhunës ndaj serbëve dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Deklarata u publikua gjatë protestave që u organizuan në Graçanicë afër Prishtinës dhe Mitrovicë të Veriut, në prag të festës së Vidovdanit siç e quajnë serbët ditën e Shën Vitos, që shënohet me 28 qershor në përkujtim të betejës mesjetare të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Shtërpcës Dalibor Jevtiç, nga radhët e Listës Serbe duke paraqitur deklaratën tha se muajt e fundit serbët e Kosovës po përballen me dhunë të paparë, të cilën e quajti fashiste.

“Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë në këtë Vidovdan, a do të kemi Asociacion të komunave serbe. Përndryshe, ne e dimë se çfarë të bëjmë”, tha ai duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet.

Në deklaratën e përfaqësuesve politik serbë thuhet se do t’i lihet hapësirë e arsyeshme dialogut dhe kompromiseve. Por “nëse vazhdon mizoria ndaj popullit tonë, do të detyrohemi t’u përgjigjemi të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes. Ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për të qëndruar e mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, thuhet në deklaratë.

Tensionet në Kosovë vazhdojnë të mbetën të larta që nga fundi i muajit të kaluar kur autoritetet nisën të zbatojnë rezultatin e zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen nëpër zyra komunale të kryetarëve shqiptarë.

Në ndërtesat komunale aktualisht mbetën kryetarët e Leposaviçit dhe Mitrovicës së Veriut nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut nga radhët e Partisë Demokratike po e kryejnë punën në zyra alternative.

Policia e Kosovës tha se të hënën në mbrëmje është hedhur një mjet shpërthyes në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut, por pa dëme një njerëz. Sulmi u dënua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili i bëri thirrje Serbisë që sic tha, “menjëherë të ndërpresë nxitjet për dhunë para se të ketë jetë të humbura”.

Diplomatët perëndimor po i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe t’i hapin rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti se ka shtruar “nevojën urgjente për shtensionim dhe kthim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”. Zonja von der Leyen tha se do të flas edhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç më vonë sot.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bisedoi mbrëmë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për të nxitur uljen e përshkallëzimit të menjëhershëm të tensioneve në veri të Kosovës.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë shprehur të gatshëm për të ndërmarrë masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk ka përparim për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA