Policia e Kosovës konfirmoi se në orët e vona të së hënës, ndërtesa e komunës në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me mjete shpërthyese.

Dyshohet se sulmi është kryer me granata dore, ndërsa janë dëmtuar disa automjete zyrtare. Ngjarja po trajtohet si episode me sfond terrorist, siç pohojnë burime policore të cilat thonë se janë konsultuar me prokurorët. Ministria e brendshme e Kosovës reagoi duke e cilësuar këtë zhvillim si një tentativë të Serbisë për ta përshkallëzuar sërish situatën.

“Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë përpjekje të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të acaruar situatën në veri të vendit. Ne mbetemi vigjilentë dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, nënvizohet në deklaratë.

Ditë më parë është raportuar edhe për sulme me bomba tymuese pranë stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, që të dyja këto komuna në veri të Kosovës. Tensionet në zonë janë rritur që prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, hynë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposavicit dhe Zubin Potokut.

Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina të organizojë zgjedhje të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA