Në natën e tretë Festivali Folklorik Kombëtar solli emocione të tjera, me grupet e qarqeve të Dibrës dhe Tiranës si dhe prezantimin e grupit përfaqësues të Kosovës.
Më shumë se 60 artistë nga Dibra që u ngjitën të parët në skenë sollën një nga debutimet më të mira të Festivalit Folklorik deri tani. Riti i lindjes së foshnjës, përkundja e djepit, largimi i burrave në emigracion, lufta për liri dhe dashuria për vendlindjen ishin disa prej subjekteve folklorike të përzgjedhura. Motivi i qethjes së bagëtive u shoqërua me këngë dhe objekte si tezgjahu, tjerrja dhe endja të vizualizuar në skenë me objekte të trashëgimisë materiale.
Pjesë e prezantimeve ishin edhe lojëra popullore dhe këngë humoristike edhe ato të bartura dhe të sjella në të gjithë festivalet foklorikë.
Grupi i Qarkut të Tiranës ngjiti në skenë emocionet e sofrës së Tiranës dhe një program të udhëhequr nga riti i jetës.
Më shumë se 70 artistë nga Kosova gjithashtu sollën motive të rralla të këngëve patriotike, atyre të vajit, vallen e burrave dhe rapsodi të njohura të folklorit kosovar.
Qindra pjesëmarrës më pas ndoqën në zonën e pazarit historik bandën e Anxhela Peristerit me ritme të gjalla dhe moderne.
Në natën e katërt të festivalit do të prezantohen grupet e Durrësit dhe Korçës ndërsa sërisht mbrëmja do të mbushet me ritmet e Saz’Iso band dhe grupit të Andi Kongo.
Top Channel