Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar telefonata urgjente me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç duke insistuar që të dy liderët të mos e zvarrisin më situatën, por të nxisin uljen e menjëhershme të përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës.
Në telefonatën e tij me kryeministrin Kurti, kryediplomati amerikan përsëriti thirrjen që kryetarët e tre komunave të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të bojkotuara nga partitë serbe, të punojnë nga vende alternative. Në komunat veriore qytetarët serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.
Sekretari Blinken përsëriti gjithashtu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për planin trepikësh të BE-së dhe falënderoi kryeministrin Kurti për pjesëmarrjen e tij në takimin e 22 qershorit në Bruksel, teksa mirëpriti lajmin për lirimin e tre policëve të Kosovës.
“Fola me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për nxitjen e ç’tensionimit të situatës në veri të Kosovës dhe për rikthimin e menjëhershëm tek dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Plani trepikësh i BE-së është rruga për të ecur përpara”, tha Blinken.
Në telefonatën e tij me Presidentin Vuçiç, Sekretari Blinken përsëriti thirrjen se personat përgjegjës për sulmet ndaj forcave të KFOR-it, duhet të japin llogari, ndërsa i kërkoi Serbisë që të ndërmarrë menjëherë hapa për të zbatuar angazhimet e saj sipas marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Top Channel