Prigozhin flet për herë të parë që nga përfundimi i kryengritjes: Marshuam për shkak të një padrejtësie

26/06/2023 17:33

Shefi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka ndarë një deklaratë audio ku sqaron drejtpërdrejt rebelimin e grupit Wagner në Rusi gjatë fundjavës.

Në klipin 11-minutësh Prigozhin theksoi se marshimi i trupave të tij drejt Moskës nisi për shkak të “një padrejtësie”. Shefi i Wagner pretendoi se vendimi për të ndalur marshimin ishte sepse ai dhe luftëtarët e tij nuk donin të derdhnin gjakun rus.

Prigozhin tha gjithashtu se nuk kishte për qëllim të përmbyste qeverinë ruse, por të demonstronte zemërimin e tij me veprimet e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Ne u ndalëm në momentin kur njësia e parë sulmuese, e cila ishte afruar 200 kilometra në Moskë, vendosi artilerinë për të bërë një zbulim të zonës. Ishte e qartë se në këtë pikë do të derdhej shumë gjak. Kështu që ne ndjemë se mjaftonte demonstrimi i asaj që do të bënim dhe u tërhoqëm.

Vendimi ynë për t’u kthyer mbrapa u ndikua nga dy faktorë më të rëndësishëm: Faktori i parë ishte se ne nuk donim të derdhnim gjakun rus. Faktori i dytë ishte se ne po shkonim për të demonstruar protestën tonë, jo për të rrëzuar qeverinë– tha Prigozhin.

Ish-udhëheqësi i Wagner përsëriti pretendimet se trupat e tij u sulmuan nga ushtarë rusë në Ukrainë, duke thënë se 30 njerëz vdiqën dhe shumë të tjerë u plagosën. Prigozhin nuk hezitoi të shprehte mirënjohjen për presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko, i cili “i zgjati dorën dhe ofroi gjetjen e zgjidhjeve për funksionimin e mëtejshëm të Wagner në një juridiksion legjitim”. 

Megjithatë, nuk dha asnjë detaj se ku ka qenë dhe cilat janë planet e tij për të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA