Imazhet e reja tregojnë balona spiune kineze mbi Azi

26/06/2023 13:55

Dëshmi të reja të programit të balonave të spiunazhit të Kinës – duke përfshirë fluturimet mbi Japoni dhe Tajvan – janë zbuluar nga BBC Panorama.

Japonia ka konfirmuar se balona kanë fluturuar mbi territorin e saj dhe ka thënë se është e gatshme t’i rrëzojë ato në të ardhmen.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë u trazuan në fillim të këtij viti, kur një balonë e supozuar spiune kineze u rrëzua në brigjet e SHBA.

Kina pretendoi se balona e parë mbi veri-perëndim të SHBA-së në fund të janarit përdorej për kërkime shkencore si meteorologjia – dhe se ishte një ngjarje e paqëllimshme dhe e izoluar.

John Culver, një ish-analist i Azisë Lindore për CIA-n, i tha Panorama-s se kjo “kishte qenë jo vetëm një herë, por një përpjekje e vazhdueshme që daton të paktën pesë vjet më parë”. Ai tha se balonat kineze ishin “projektuar posaçërisht për këto misione me rreze të gjatë” dhe disa “me sa duket kishin qarkulluar rreth globit”.

Duke punuar me Synthetaic, një kompani e inteligjencës artificiale e cila analizoi sasi të mëdha të dhënash të kapura nga satelitët, BBC ka gjetur imazhe të shumta të balonave që kalojnë Azinë Lindore.

Themeluesi i kompanisë, Corey Jaskolski, gjeti prova të një balone që kalonte Japoninë veriore në fillim të shtatorit 2021. Këto imazhe nuk janë publikuar më parë.

Jaskolski beson gjithashtu se provat tregojnë se ky balon është lëshuar nga thellësia e Kinës, në jug të Mongolisë. 

Japonia është një aleat i ngushtë i SHBA-së dhe më shumë forca amerikane janë të stacionuara atje se në çdo vend tjetër të huaj.

Imazhi satelitor i balonës së dyshuar spiune mbi Japoni
Imazhi satelitor i balonës së dyshuar spiune mbi Japoni

Yuko Murakami, nga ministria japoneze e mbrojtjes, i tha BBC-së se qeveria “po merrte të gjitha masat paraprake për të monitoruar situatën në baza ditore” dhe madje do të ishte e gatshme të rrëzonte balona për të mbrojtur “jetën dhe pronën e njerëzve në territorin e Japonisë”.

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se beson se balonat kineze janë të pajisura për të mbledhur sinjale të inteligjencës. Ai thotë se balona që zbuloi mbi SHBA kishte “antena të shumta, me gjasë të afta për të mbledhur dhe gjeo-vendosur komunikimet”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA