Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës veprimet e një punonjësi të Policisë Rrugore, i cili ka gjobitur një qytetare megjithëse makinën e kishte në pikë të bllokimit.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Flutura Haxhiraj, nga Vlora. Ajo thotë se i ka hequr patentën në mënyrë abuzive një punonjës policie i quajtur Renato Sula.
Pohon se në datën 5 korrik 2022 polici e ka ndaluar dhe ka marrë masë për bllokim patente dhe mjeti. Më pas, qytetarja është shoqëruar në polici, pasi polici e ka akuzuar për kundërshtim punonjësi. Ka qëndruar disa orë në komisariat, ku policia i ka mbajtur edhe patentën edhe makinën BMW. Ndërkohë, në datën 8 korrik 2022, makina tip BMW me targa AA 888 AO dërgohet në pikën e bllokimit në Vlorë.
Por, duke qenë se qytetarja e akuzoi policin për ndalim të paligjshëm, polici rrugor Renato Sula ka firmosur një tjetër gjobë 80 mijë lekë ndaj qytetares në datën 11 korrik 2022. Në këtë datë makina ishte në pikë të bllokimit. Polici shkruan se “makina lëvizte në rrugën e komisariatit”, kur në fakt makina ishte në pikën e bllokimit.
“Nuk e kupton pse ma bënë. Më terrorizuan dhe pagova dy herë gjobën. Në datën 5 korrik 2022 më vendosën një gjobë 15 mijë lekë. Në datë 11 më vendosën gjobë 80 mijë lekë, kur makina ishte në pikë të bllokimit. Të dyja gjobat nga i njëjti polic, Renato Sula. Ky rri në Tiranë. Kishte ardhur gjatë verës në Vlorë. S’kam konflikte, po mendoj se e padita në gjykatë prandaj më vuri gjobë,” pohon qytetarja, teksa thotë se për këtë masë ka edhe një shkresë nga ish drejtori i Policisë së Vlorës.
“Në datën 10 korrik 2022, Drejtori i Policisë së Vlorës Gentian Berberi, tani ka ikur, shkruan se u shqyrtua ankimi juaj dhe u mor vendimi nga Komisioni. Në këtë vendim u konfirmua vendimmarrja e agjentit verifikues” thuhet në letër.
Por, vendimi i Komisionit është në datë 18 korrik dhe shkresa e drejtorit në datë 10 korrik! “Ku e dinte drejtori se çfarë mase do të merrte komisioni?” thotë qytetarja.
Pas kësaj ankese, denoncuesja iu drejtua pikës së bllokimit të mjeteve nga Policia e Vlorës. Polici i pikës së bllokimit i thotë se makina BMW ka shkuar në atë pikë në datën 8 korrik 2022 dhe ka dalë në datën 21 korrik. Pra, makina në pikë të bllokimit në datë 8 korrik, ndërkohë që fleta e gjobës mban datën 11 korrik dhe shkruan se “lëvizte para komisariatit”. Ku e gjeti makinën polici Renato Sula?!
***
Pika e bllokimit të makinave, Vlorë
Denoncuesja – Doja të pyesja për diçka, në datën 08 korrik të 2022-shit kam pasur makinën këtu te pika e bllokimit. Figuron te regjistri se mua më duhet një vërtetim?
Punonjësi i policisë – Kush jeni ju?
Denoncuesja – Flutura Haxhiraj. Këtu ke pasaportën dhe dokumentet e makinës.
Punonjësi i policisë – Ça viti ka qenë ajo?
Denoncuesja – 2022-shi, korriku! Në datën 8 ka ardhur makina këtu.
Punonjësi i policisë – Ça mjeti është?
Denoncuesja – BMW.
Punonjësi i policisë – Ça targe?
Denoncuesja – BMW, targën (AA) 888 AO.
Punonjësi i policisë – Tre 8-ta?
Denoncuesja – Po, kam dhe dokumentin që e kam pasur.
Punonjësi i policisë – Do ta kisha fiksuar tre 8-ta!
Denoncuesja – Ja ku është makina
Punonjësi i policisë – Ku e ke?!
Denoncuesja – Ja! Që vija shpeshherë dhe e shikoja makinën.
Punonjësi i policisë – Tani, ça kërkon tani?
Denoncuesja – Kërkoj atë …
Punonjësi i policisë – Kur ka dalë makina?
Denoncuesja – Makina doli 15 ditë me vonesë pas bllokimit. Po doja të shihja atë datën që kanë sjellë makinën këtu. Që e ka sjellë karoatreci nga policia. Ka qenë data 8 korrik!
Punonjësi merr regjistrin …
Punonjësi i policisë – Makina sa ka qëndruar këtu?
Denoncuesja – 15 ditë!
Punonjësi i policisë – 15 ditë dhe është marrë?
Denoncuesja – Po, po u mor.
Punonjësi i policisë – Me vendim prokurorie?
Denoncuesja – Po s’kam qenë këtu.
Punonjësi i policisë – Mos e ke marrë nga Drejtoria?!
Shfleton regjistrin …
Punonjësi i policisë – 888 AO, BMW e zezë.
Denoncuesja – (Lexon regjistrin) E zezë!
Punonjësi i policisë – E ka tërhequr, e mori K…
Denoncuesja – Po.
Punonjësi i policisë – Në orën 15.30 ka dalë.
Denoncuesja – Po, 15.30.
Punonjësi i policisë – Parakolpi i dëmtuar, makina e mbyllur.
Denoncuesja – Po datën?
Punonjësi i policisë – Data është … Sa është data, 8 (korrik) është këtu!
(I tregon denoncueses regjistrin)?
Denoncuesja – Data është 08.07.2022.
Punonjësi i policisë – Deri 21.07.2022 me numër protokolli 5155 në orën 15.30. Ça është shkruajtur këtu.
Denoncuesja – Po mjeti.
Punonjësi i policisë – Kaq është!
Denoncuesja – Në rregull, faleminderit.
Punonjësi i policisë – Se këtu është urdhër protokolli. Me numër protokolli me mua je në rregull! Për mua është e shënuar, kur vjen mjeti këtu unë i them atij zotërisë, parkoma filan vend, mbyllma! Kjo do mbyllet. Ka ardhur në datën 8 korrik 2022.
Denoncuesja – Data 8, po!
Punonjësi i policisë – Data 8 është sjell këtu!
Top Channel