Me dorën mbi bibël, në prani të presidentes së vendit dhe duke pasur në krah bashkëshorten, fëmijët dhe motrat e tij është betuar para kryepeshkopit të Greqisë Ieronimos, për mandatin e dytë rresht të tij si kryeministër, lideri i Demokracisësë Re Kyriakos Mitsotakis.
“Do të të respektoj kushtetutën dhe ligjet dhe do ti shërbej interesit të përgjitshëm të popullit grek” ka thënë Mitsotakis që ka korrur një fitore të madhe duke siguruar 40.5% të votave ,22 pikë më shumë se rivalët e majtë të Syrizës , si dhe shumicën parlamentare me 158 nga 300 ligjvënësit grekë.
55 vjeçari Mitsotakis, një ish-bankier dhe pinjoll i një familjeje të fuqishme politike,që ka marrë mandatin nga presidentja mëngjesin e së hënës, ka premtuar të rrisë të ardhurat nga turizmi , të krijojë më shumë vende pune dhe të rrisë pagat.
“Jemi angazhuar që në mandatin e dytë katërvjeçar të bëjmë ndryshimet e mëdha dhe reformat e mëdha për të cilat vendi ka shumë nevojë. Kemi një mandat të fuqishëm për t’i realizuar këto ndryshime.”- tha Kyriakos Mitsotakis kryeministër i Greqisë.
“Dominimi absolut, pa kundërshtar” e ka quajtur rezultatin zgjedhor gazeta Ta Nea, “Kthesë djathtas – Triumfi i Kyriakos”, shkruan e përditshmja “Dhimokratia”, “Fitore historike e konservatorëve,shans për Greqinë“ shkruan në faqen e parë proqeveritarja Elftheros Tipos , “Blu e errët, thuajse e zezë“ ,thekson antiqeveritarja Gazeta e Redaktorëve, duke ju referuar edhe hyrjes në parlamet të tre partive të ekstremit të djathtë që do të përfaqësohen nga 35 deputetë.
Mitsotakis ka marrë edhe detyrën nga kryeministri i përkohshëm dhe në orën 5 të pasdites do të shpallë emrat e kabinetit të ri, të cilat qarkullojnë prej disa orësh në mediat greke, por pritet konfirmimi zyrtar, ndërsa të martën do të bëhet betimi i anëtarëve të qeverisë së re.
Top Channel