Analisti Artur Zheji ka analizuar në detaje se çfarë fshihet pas lirimit të papritur të policëve të Kosovës nga Serbia.
I ftuar në “Top Story”, Zheji tha se shanset janë shumë të vogla, për të mos thënë jo ekzistente, që Orban të ketë qenë negociatori i lirimit të efektivëve të Kosovës. Sipas Zhejit, rrëmbimin e efektivëve të FSK-së në tokën shqiptare, Serbia e bëri me qëllim “për t’i përdorur ata përmbushur porosinë e Kremlinit për të krijimin e një vatre tensionesh” në Ballkan, si dhe “për të luajtur më mirë lojën 50 me 50, herë me Moskën herë me Perëndimin”.
Analisti tha se pas rrëmbimit të tyre Beogradi kishte për qëllim zvarritjen e procesit për lirimin e 3 efektivëve me javë e muaj. Megjithatë, goditja që pësoi Putini nga grushti i shtetit dhe rënia e Rusisë në bursën ndërkombëtare bëri që plani i Vuçiç të dështonte, duke përmbushur kërkesën e Perëndimit dhe liruar menjëherë efektivët.
Pjesë nga biseda:
Zheji: Në radhë të parë, duke mos njohur kufirin e Kosovës ata mund të të arrestojnë në mes të Prishtinës dhe thonë se është Serbi. Pra ka një “non sens” brenda një “non sensi”. Nuk besoj që është Orban, nuk kam informacion për këtë…
Karamuço: Vetë ai, Orban e ka thënë që “unë u bëra negociator”.
Zheji: Orbani? Mirë, ka qenë njëherë një Osman Gazepi që i vinte vetes medalje… Por mua nuk më rezulton Orbani për një arsye. Së pari, është e vërtetë që ka një marrëdhënie specifike me Putinin, por nuk është një marrëdhënie e mirë, është marrëdhënie sepse ka një problem të hapur me Serbinë në Vojvodinë. Vojvodina është një krahinë me shumicë relative hungareze. Pra janë disa probleme shumë të mprehta dhe Orbani si një i djathtë nacionalist që është, i ka të hapura hesapet me Vuçiçin. Ndoshta është si teori konspiracioniste, por unë mendoj se kjo koçidon me një dobësim të papritur të Vladimir Putinit nga grushti i shtetit i mbetur në tentativë nga Prigozhin.
Ditën e premte të javës së kaluar të gjitha bursat botërore, si të premten edhe të shtunën, e lexonin këtë si një gjë shumë të rëndë, pra është diçka shumë e fortë dhe akoma nuk ka mbaruar kërcënimi. Kjo rrezikon presidentin Vladimir Putin.
Duma: Pra ti mendon që goditja e Putinit nga Wagner ka ndikuar në lirimin e policëve të Kosovës nga Serbia?
Zheji: Sipas të dhënave që kam unë, Vuçiçi i ka rrëmbyer 3 policët shqiptarë në tokën e tyre me qëllim që të krijonte një vatër destabilizimi sepse karremin ia dha vetë Kurti.
Ai e rriti shumë pjacën me këtë rrëmbim që bëri për të përmbushur porosinë e Kremlinit për të krijuar një vatër tensionesh dhe për të luajtur më mirë lojën 50 me 50 sa me Moskën aq edhe me Perëndimin. Pra të ishte i dëshiruari i Perëndimit me idenë që të mos përshkallëzohet situata, të mos kalojë në përshkallëzim dhe të krijojë një kallzus të turpshëm duke mbajtur zvarritur gjërat. Historia ka treguar që këto raste mund të zvarriten me javë dhe me muaj, por atij i interesonte kjo gjë. Megjithatë rënia e papritur në bursë e pozitave gjeopolitike të Putinit, pra kjo e panjohura që sapo ishte formuar, bëri që ai të anonte papritur nga Perëndimi duke marrë një vendim të cilën këta të fundit ia kërkuan haptazi. Orbani pastaj ka qenë një dekor shumë interesant, është një president kontravers që kurrë nuk ka marrë sanksione ndaj Rusisë dhe prapë është në NATO dhe BE. I tolerohen këto bizarrerit që ka ai, dhe ka shërbyer si aksesor, por ajo që ka ndodhur është tjetër gjë. Është kjo që sapo thamë.
Top Channel