Shpëtohen dy turistë holandezë që kishin mbetur të bllokuar, në një terren tejet të thepisur dhe me dëborë në lartësinë 2500 metër, në mes të malit të Jezercës dhe Bjeshkëve të Nemuna, për shkak të motit të keq.
U desh ndërhyrja e policisë dhe forcave të kërkim-shpëtimit për që pas disa orësh kërkime t’ju jepet ndihma përmes shoqërimit me këmbë e më pas me helikopter dy turistëve.
Turistët holandezë kanë kërkuar ndihmë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Tropojë rreth orës 12:15. Turistët thanë se ndërsa po eksploronin zonën e Valbonës, kishin mbetur të bllokuar mes malesh, për shkak të terrenit të thepisur dhe me dëborë.
Pas disa orësh kërkime, turistët u lokalizuan në një zonë mes malit të Jezercës dhe Bjeshkëve të Nemuna.
Ata u shoqëruan nga punonjësit e Policisë për disa orë me këmbë, në një terren shumë të rrezikshëm për jetën dhe pas mbërritjes në një terren ku mund të ulej helikopteri, u transportuan me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes, në vendin ku ishin akomoduar.
Të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Top Channel