“Ne do të fusim inteligjencën artificiale në prokurimet publike. Nuk do më ketë komision vlerësimi ofertash që përditë i dëgjojmë të shkojnë në burg.” tha Rama
Ekzekutivi ka nxjerrë ligjin e ri për prokurimet publike. Ndër shumë ndryshime, çfarë bie në sy është edhe ajo e quajtura Sistemi Dinamik i Blerjes, ku AKSHI ka përgjegjësinë për të krijuar një sistem të informatizuar që nëpërmjet Inteligjencës Artificiale do zhvillojë procedurat e dhe shpalljen e fituesit të një tenderi.
Kjo do të jetë dhe kryefjala e mënyrës së re të funksionimit për prokurimet publike; tashmë çdo gjë do të zhvillohet në e-albania, nga shprehja e ofertës te shpallja e fituesit deri te ankimimi, ndërsa kompanitë pjesëmarrëse do të paguajnë tarifë për përdorimin e sistemit. AKSHI ka parashikuar një afat deri në 9 muaj për ngritjen e këtij sistemi.
Ligji parashikon edhe ngritjen e një Organi Qëndror Blerës në varësi të Këshillit të Ministrave, që ka të drejtën tu marrë enteve prokuruese të drejtën e zhvillimit të një gare. Ky organ të mund t’ja kalojë zhvillimin e procesit të prokurimit edhe një kompanie private kundrejt një tarife. Ky organ do asistohet për tre vite nga organizma ndërkombëtar parashikon ligji.
Një tjetër koncept është që për herë të parë komisionet prokuruese në institucione do mund të marrin kompani private për ekspertizë të jashtme kur kanë në duar një tender që ka procedura komplekse.
Ligji ashpërson kriteret për kompanitë që duan të marrin pjesë në gara. Ato që nuk deklarojnë pronarët përfitues do të përjashtohen automatikisht, ose nëse kanë në organikën e tyre drejtuese; ortakë, pronarë apo aksionerë të dënuar nga Gjykata. Përjashtohen automatikisht kompanitë që do të kapen në shkelje me pagat e punonjësve.
Gjithashtu entet prokuruese do të kenë fuqinë të ndërpresin një kontratë në mes, nëse do evidentohen raste të konfliktit të interesit edhe gjatë zbatimit të saj, pra nuk do të jetë më vetëm si kusht paraprak.
Një tjetër risi është se para nënshkrimit të kontratës, autoritetet do t’i kërkojnë kompanisë një sigurim kontrate në 10% të vlerës së saj. Sipas qeverisë, detyrimi i bizneseve për të siguruar kontratën do të shërbejë si një element garancie për institucionet publike në rastet e shkeljes së kontratës nga bizneset që fitojnë tenderat.
Ndryshime ka edhe për afatet e ankimimit dhe skualifikimit të një operatori nga gara, që prekin dy institucione të rëndësishmë si Komisioni i Prokurimeve publike dhe agjencia e prokurimit publik
Top Channel