Një grua dhe djali i saj, 5-vjeçar humbën jetën si pasojë e vërshimeve gjatë mbrëmjes së djeshme në Pejë të Kosovës.
Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur.
Vdekja e 5-vjeçarit u konstatua nga Spitali i Pejës rreth orës 23:10 të së shtunës. Ndërsa, vdekja e gruas u konstatua nga ekipi mjekësor rreth orës 1:20 të së dielës, pasi trupi u gjet nga autoritetet pa shenja jete.
Përveç tyre, në lagjen “Fidanishte”, po ashtu në Pejë, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spital.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj me anë të një postimi njoftoi se janë në dispozicion për të tejkaluar situatën e rënduar në Pejë.
“Njësitë tona të kërkim-shpëtimit tashmë janë nisur për në qytetin e Pejës, do të jenë aty ku ka nevojë për t’iu dalw në ndihmë në këtë gjendje të rëndë. Me të gjitha kapacitetet tona jemi në dispozicion për të tejkaluar këtë situatë”, shkroi Mehaj në Facebook.
Rrugët e qytetit të Pejës u kthyen në lumenj, pas reshjeve të shumta të shiut, situatë e cila shkaktoi vështirësi dhe rrezik për qarkullimin e qytetarëve.
Sipas autoriteteve ekipet emergjente janë në terren dhe po e vëzhgojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet masive të ujërave.
Top Channel